English

EULEX, 30 ditë burgim për kryetarin e komunës së Suharekës

Prishtinë, 5 prill, NOA - Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, bëri të ditur se kryetari i komunës së Suharekës, Blerim Kuqi, është dënuar me 30 ditë heqje lirie për mosdhënie të dëshmisë.

Zoti Kuqi, i cili është edhe sekretar organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është marrë në pyetje nga një gjykatës i EULEX-it për shkak të siç thuhet refuzimit të tij në mënyrë të përsëritur për të dhënë dëshmi gjatë një hetimi. Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, tha se zotit Kuçi i është dhënë mundësia të dëshmojë sot, sikurse edhe në disa raste të tjera, meqë ai është dëshmitar në një rast penal që po udhëhiqet nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, por ai ka refuzuar. “Ai po ashtu është gjobitur me 250 euro për mosdhënie të deklaratës, pavarësisht faktit se ai i di të gjitha përgjigjet”, tha ajo, duke cituar Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, sipas të cilit dëshmitari mund të gjobitet ose dënohet me heqje lirie derisa të mos ofrojë dëshminë.

Zyrtarët e EULEX-it kanë refuzuar të flasin se për çfarë hetimesh bëhet fjalë, por sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Burim Ramadani ka thënë se çështja ka të bëjë me hetime për krime gjatë periudhëës së luftës në Kosovë.

Ndonëse, zyrtarisht nuk është dhënë arsyeja , thuhet se zoti Kuqi nuk ka pranuar të dëshmojë kundër deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj, ndaj të cilit EULEX ka ngritur dyshime për krime lufte. Nga mesi i muajit mars, EULEX-i arrestoi nëntë persona dhe lëshoi një urdhër arresti edhe për deputetin Fatmir Limaj, nën dyshimet për vrasje, torturë dhe cenim të shëndetit e integritetit fizik të shqiptarëve nga Kosova, civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999. Arrestimet nxitën reagime në Kosovë, ndërsa dënimi i zotëm i zotit Kuqi u kundërshtua edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, nënkryetari i së cilës, Ahmet Isufi, i bëri thirrje EULEX-it që të mos dëmtojë vlerat e luftës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fton EULEX-in që t’i përmbahet prioriteteve të veta për sundimin e ligjit në Kosovë dhe që të mos prek në luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi”, tha zoti Isufi.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se EULEX-i ka për detyrë të ndihmojë institucionet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, që po vazhdojnë të rrezikojnë qëndrueshmërinë e dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Zyrtarë të EULEX-it kanë përsëritur se hetimet që kanë të bëjnë me periudhën e luftës në Kosovë kanë të bëjnë më individë dhe jo me ndonjë organizate të caktuar.

NOA/VOA

KOMENTE