Bruksel, 5 prill 2011, NOA – Komisioni i Stabilizim Asociimit në BE inkurajoi sot partitë politike shqiptare që të zhvillojnë zgjedhjet lokale të 8 majit sipas standardeve ndërkombëtare e të vazhdojnë dialogun e nisur. Gjatë mbledhjes së dytë sot në Bruksel të Komitetit të Stabilizim Asociimit, komisioni nënvizoi se ndryshimet e nevojshme në kod bazuar mbi rekomandimet e OSBE duhet të bëhen menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor.
Në këtë takim Shqipëria u përfaqësua nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa pala europiane nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Pierre Mirel.
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu pas takimit u shpreh se “Lajtmotiv i tij ishin zhvillimet e të gjitha fushave në Shqipëri për periudhën njëvjeçare, nga marsi i vitit të shkuar kur takimi i parë u mblodh në Tiranë në atë të këtij viti”.
Sipas ministres Bregu, Komisioni për Stabilizim Asociimin në BE vlerësoi si pikë kyç çështjen e listave të votuesve.
Duke iu referuar ankesave të opozitës për manipulimin me kartat e identitetit, komisioni theksoi po ashtu se “duke u nisur nga shpenzimet e shumta për pajisje që qeveria shqiptare ka bërë për proçesin e liberalizimit të vizave, nuk e gjejmë me vend aplikimin e aparateve për verifikimin e kartave të identitetit në qendrat e votimit”.
Gjithashtu në këtë takim u cilësua sukses historik heqja e vizave për Shqipërinë, ndërkohë që u vlerësua po ashtu shumë pozitive situata e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në zonën Shengen, përmes monitorimit të vazhdueshëm që po i bëhet Shqipërisë.
Komisioni mirëpriti ngritjen e një structure të re të Policisë së shtetit.
Po ashtu u vlerësua se është bërë progress në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe trafikut të qënieve njerëzore.
Komisioni i Stabilizim Asociimit vlerësoi nismat e ndërmarra nga mazhoranca për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv.
Ai mirëpriti edhe miratimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s.
Komisioni vlerësoi edhe përpjekjet e qeverisë kundër diskriminimit të komunitetit rom, ligjin antimafia, reformën në administraten publike dhe zbatimin e mirë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Gjithashtu gjatë takimit në Bruksel u vlerësua me tone të larta qëndrueshmëria ekonomike në Shqipëri, rritja e konkurrencës në treg si dhe politikat fiskale të ndjekura nga qeveria, duke përmendur këtu edhe ligjin për amnistinë fiskale.
mit/NOA