Tiranë, 5 prill 2011, NOA – “Mesazhe shprese” për fëmijët në nevojë. Është ky projekti që prej katër vitesh bën të mundur që AMC përmes “mesazheve të shpresës” t’u vijë në ndihmë fëmijëve në nevojë, duke bërë që abonentët e AMC-së t’i dhurojnë sistemin kompjuterik të mësimit institucionit arsimor të nxënësve që nuk dëgjojnë.
Një pjesë e të ardhurave nga SMS-t që abonentët dërguan gjatë fundvitit janë përdorur për të përmirësuar kushtet e mësimdhënies në Institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë.
Falë abonentëve të AMC-së, ky institucion tani ka kushte shumë më të mira për zhvillimin e orëve të mësimit.
“Ndihem i gëzuar që, falë kontributit të abonentëve tanë, kemi zbatuar këtë projekt për të ndihmuar nxënësit e këtij institucioni. Ky është një kontribut në përmirësimin e kushteve të mësimit, për t’u dhënë këtyre nxënësve më shumë mundësi për t’u përballur me jetën e përditshme dhe për t’u përfshirë në mënyrë aktive në veprimtaritë sociale”, tha Nikos Parastatidis, Menaxheri i Marrëdhënieve të Korporatës në AMC gjatë vizitës në këtë institucion.
Me këtë kontribut tashmë në secilën nga klasat është instaluar një sistem kompjuterik mësimi që projekton mësimet.
Ky sistem sjell një koncept të ri mësimdhënieje për nxënësit që nuk mund të dëgjojnë.
Nuk bëhet fjalë për një përmirësim të thjeshtë teknik, por një eksperiencë të frytshme si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.
Pamjet dhe tekstet që do të projektohen janë pjesë e programit mësimor dhe ato do t’i ndihmojnë nxënësit t’i kapin më lehtë mësimet duke i bërë më argëtuese orët e mësimit.
“Mesazhe shprese” bën pjesë në programin e përgjegjësisë së korporatës së AMC-së, ku si kompania dhe abonentët e saj japin shembullin e përgjegjshmërisë dhe ndërgjegjësimit ndaj ambientit social që i rrethon duke kontribuar çdo vit për fëmijët në nevojë.
NOA