English

Nishani në Spanjë, merr garanci për bashkëpunim në fushën e drejtësisë

E martë, 5 prill 2011, NOA- Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, gjatë ditës së sotme ka qenë i pranishëm në Spanjë, ku ka diskutuar me homologun e tij lidhur me bashkëpunimin në këtë fushë.

Kjo vizitë e kreut të drejtësisë shqiptare ka ardhur me ftese të ministrit të Drejtësisë së Mbretërisë së Spanjës, Francisco Camano Dominguez.

Gjatë takimit dy homologët biseduan gjerësisht mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e drejtësisë, reformat në këtë fushë, por edhe tema konkrete si të fushës së Avokaturës së Shtetit, Programit Euralius, Shërbimit të Provës, Sistemit Penitenciar, fushën e ekstradimeve dhe të letër-porosive.

Ministri Nishani falenderoi nga ana e tij Ministrin Dominguez për bashkëpunimin dhe ndihmën që ka ofruar Spanja në fushën e drejtësisë dhe veçanërisht në atë të Avokaturës së Shtetit dhe të Programit Euralius.

Ndërsa nga ana e tij ministri Dominguez vlerësoi arritjet e Shqipërisë, konsolidimin e Shtetit të së Drejtës si dhe shprehu vlerësimin për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë vizitës së tij ministri Nishani, u prit në takime të veçanta nga Presidenti i Komisionit të Drejtësisë në Kongresin e Deputetëve, Prokurori i Përgjithshëm, Zv/Presidenti dhe Anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

a.y/NOA

KOMENTE