Tiranë, 5 prill, NOA - E enjtja e 7 prill do të jetë një ditë dedikuar krijimtarisë së regjisorit Bujar Kapexhiu me shfaqjen e 4 filmave që përfaqësojnë punën e tij shumëvjeçare në artin e animacionit. Kapexhiu është një nga themeluesit e këtij zhanri filmik së bashku me regjisorin Vlash Droboniku dhe në këtë program do të risillet puna e tij e parë, “Pika e ujit”, 1976, që në fondin kronologjik të filmit të animuar mban numrin 3. Gjithashtu do të shfaqen edhe 2 filma të ndaluar më parë për motive biografike të bashkëskenaristit Bashkim Shehu: “Kur shefi merr flakë” dhe“Autogol”.
“Pika e ujit”, 1976, 9’
“Kur shefi merr flakë”, 1980, 5’
“Autogol”, 1981, 7’
“Pipiruku në pallat”, 1985, 13’
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të transmetojë krijmtarinë e Kapexhiut në orën 12:00.
Kush është Bujar Kapexhiu
Artist i merituar, aktor, piktor, regjisor, skenarist. Lindi ne Tirane me 22 Mars 1944. Studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Me 1968 filloi pune si regjisor në Teatrin e Estradës se Tiranes, ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit.
Pas një periudhe 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të "shfaqjeve liberale dhe moderniste" në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH, ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye me 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios "Shqipëria e re".
Filmi "Zhgarravinat" (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjine u vlerësua me çmimin e I-re të Festivalit të III të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll,Turqi,1979; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984.
Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimore në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe “Pipiruku”, personazhi i dashur për fëmijet i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq" u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor.
Pas vitit '85 iu përkushtua zhanrit te kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Ne një kohe mjaft te shkurtër xhiroi katër filma artistike "Dy here mat", 1986, "Tela per violine", 1987, "Stolat ne park", 1988 "Edhe ashtu, edhe kështu", 1989
a.k/NOA