Tepelenë, 5 prill, NOA – “Avancimi i shpejtë i punimeve në Superstradën Levan-Tepelenë, bën të mundur që përpara sezonit turistik, të hapen për trafikun 13 km të segmentit Damës-Tepelenë”.
Kështu është shprehur ministri Olldashi gjatë inspektimeve në këtë aks rrugor, duke shtuar se konkretisht, në muajin maj hapen për trafikun 7 km e parë, nga fshati Viros deri në qendër të Memaliajt, për të vazhuar në qershor edhe me 6 km të tjerë.
Ndërkohë, që në muajin tetor, segmenti Damës-Tepelenë do të jetë totalisht i hapur për trafikun, me përjashtim të pjesës së hidrocentralit të Kalivaçit.
Në të njëjtën kohë, punimet kanë avancuar edhe në ndërtimin e urave që janë pjesë e këtij segmenti, konkretisht në muajin maj përfundojnë së ndërtuari dy ura totalisht të reja, ura e Ali Pashait dhe ajo e fshatin Luftinjë.
Gjatë inspektimit të punimeve në superstradën Levan-Tepelenë, konkretisht në segmentin Damës-Tepelenë, ministri Olldashi u shpreh se “jemi në një fazë të avancimi të shpejtë të punimeve. Kilometrat e para të rrugës do të hapen në ditët e para të majit dhe në fund të qershorit do të kemi edhe 6 km të tjerë, për të vajtur në tetor me pothuajse gjithë rrugën e hapur, me përjashtim të pjesës së hidrocentralit të Kalivaçit”.
“Të gjitha punimet po kryen me standardet dhe cilësinë e duhur duke pasur parasysh që ky është një aks shumë i rëndësishëm i transporti për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për lidhjen me Greqinë.
Ajo që vlen të theksohet është që përpara sezonit turistik ne do të kemi mundësinë të hapim segmente të qenësishme të këtij aksi, për t’i vënë në shërbim të përdoruesve të rrugës, dhe atyre që do të synojnë të arrijnë drejt brigjeve të Jugut, Sarandës dhe destinacioneve të tjera turistike”, shtoi Olldashi.
Superstrada Levan-Tepelenë është një rrugë shumë e rëndësishme për të gjithë zonën.
Përveç përfitimeve direkte në shkëmbimin tranzit të mallrave drejt qendrave të banuara në Jug e më tej drejt Greqisë dhe anasjelltas, rruga e re do të sjelle një lidhje më të mirë me zonën dhe pjesën tjetër të vendit.
Ajo do të lejojë banorët e fshatrave të vogla të disponojnë të gjitha lehtësirat për akses të shpejtë në qendrat e zhvilluara si dhe do të gjallërojë ekonominë lokale dhe bizneset e vogla përgjatë infrastrukturës.
n.e/NOA