Tiranë, 5 prill 2011, NOA – Partia Socialiste ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës Lëvizjen Zgjohu, pasi e akuzon atë për përdorim parash të pista në fushatën publicitare kundër Partisë Socialiste. Pas daljes nga Prokuroria deputeti socialist Taulant Balla shprehu shqetësimin për prejardhjen e këtyre parave, duke i kërkuar organit të akuzës të hetojë burimin e parave.
“Jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh prej muajsh me një organizatë që ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma të pallogaritshme parash, në një fushatë me mashtrime publike dhe gjuhë urrejtjeje kundër PS dhe kundër opozitës së Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Deputeti Balla bëri me dije se vetëm në muajin shkurt Lëvizja Zgjohu ka shpenzuar 500 milionë lekë për spote publicitare me mashtrime kundër opozitës.
Balla i bëri thirrje KKRT-së dhe KQZ-së të mos lejojnë përdorimin e fondeve të panjohura për fushata joligjore publicitare.
Sipas Ballës paratë që po përdoren nga Lëvizja Zgjohu burojnë nga pushteti i kusarisë për një fushatë publicitare të pandershme.
“Prandaj sot në emër të Grupit Parlamentar të PS, unë dorëzova një kallëzim penal përkundrejt drejtuesve të kësaj organizate, të cilët duhet të japin llogari se nga burojnë këto para të pista, të cilat po sponsorizojnë një fushatë të pandershme publicitare, joligjore”, theksoi deputeti i PS-së.
Ai i bëri apel prokurorisë të zbardhë sa më parë burimin e parave të pista që po përdoren për fushatën e Lëvizjes Zgjohu.
mit/NOA