English

Takimi Thaçi-Pacolli- Mustafa, mbyllet pa marrëveshje

Prishtinë, 5 prill 2011, NOA- Në prani të përfaqësuesve të vendeve të Kuintit, gjatë ditës së sotme është zhvilluar një takim ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, kandidatit të koalicionit qeverisës për president të Kosovës, Behxhet Pacolli, dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Qëllimi i takimit është tejkalimi i nyjës së krijuar me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

I vetmi që deri më tani është prononcuar në lidhje me këto përpjekje politike për tejkalimin e bllokadës së zgjedhjes së presidentit, ishte ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli.

Ai ka thënë se beson që këto përpjekje politike, ku janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, do të rezultojnë me një zgjidhje dhe marrëveshje konkrete.

“Unë besoj që do të mbizotërojë arsyeja dhe përgjegjësia e klasës politike në Kosovë për t’u dhënë zgjidhje problemeve, me të cilat po përballet vendi. Në këtë mënyrë edhe të hapet rrugë për proceset shumë të rëndësishme, në të cilat ka hyrë Kosova dhe që do të përballet ditëve dhe javëve në vijim. Gjithsesi besoj shumë që vendi do të ketë president të zgjedhur ditët në vijim”, ka thënë Makolli.

Për tejkalimin e gjendjes në lidhje zgjedhjen e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që si kompromis, koalicioni qeverisës, dhe sidomos PDK-ja, të pajtohet që të caktohet edhe data e zgjedhjeve për një afat prej një apo një viti e gjysmë, si dhe që ndërkohë, të bëhen ndryshime kushtetuese dhe të zhvillohen disa reforma në sistemin zgjedhore.

Por, Ibrahim Makolli ka theksuar se për ofertat e opozitës ka dëgjuar vetëm përmes mediave. Andaj, takimet e tilla si ai i ditës së martë, sipas tij, mund të jenë të domosdoshme për arritjen e disa marrëveshjeve të nevojshme për tejkalimin e bllokadës.

“Përmes mjeteve të informimit jemi njoftuar për kërkesa të tilla. Natyrisht që çdo ide e partive politike do të trajtohet në tryezë të partive politike, në mënyrë që të gjenden zgjidhje të pranueshme, përmes të cilave vendi do të dilte nga kriza”.

“Gjithsesi që, ne, si parti politike, si edhe të tjerat, në vazhdimësi kemi theksuar nevojën për ndryshimin e ligjit zgjedhor, si edhe amandamentim të Kushtetutës, prandaj këto janë veprime që do të duhej ndërmarrë në të ardhmen në kuvendin e Kosovës”, ka theksuar Makolli.

Ndryshe, edhe presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi nga e mërkura ka paralajmëruar se do t’i ftojë partitë politike në konsultime për të gjetur një zgjidhje në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Kriza me zgjedhjen e presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se zgjedhja e Pacollit në postin e presidentit në seancën e 22 shkurtit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese, kështu që procesi tani është kthyer në zero.

Andaj, çdo dështim i sërishëm i zgjedhjes së presidentit mund të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

/rel/ NOA

KOMENTE