Prishtinë, 5 prill 2011, NOA – Mosmarrëveshjet mes krerëve të PDK-së për rikandidimin e Behgjet Pacollit për postin e presidentit të Kosovës bënë që Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi njëherësh kryeministri i Kosovës të thërrasë këtë pasdite një mbledhje urgjente të kryesisë së PDK-së për zgjedhjen e presidentit.
Kundër rikandidimit të Pacollit janë shprehur hapur ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe ish-ministri i Transporteve Fatmir Limaj.
Në mbledhjen e thirrur këtë pasdite Partia Demokratike e Kosovës pritet të dalë me një qëndrim të qartë rreth ruajtjes apo prishjes së koalicionit me AKR-në, e cila ka vënë si kusht për vazhdimin e koalicionit arritjen e numrit të votave për rizgjedhjen e Behgjet Pacollit si president i Kosovës.
Në rast se nuka arrihet konsensusi për emrin e Pacollit atëherë pritet që të kandidohet një emër tjetër nga opozita për postin e presidentit.
Ngërçi politik në Kosovë doli në pah pas rrëzimit të presidentit Behgjet Pacolli nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila e shpalli votimin për zgjedhjen e tij të pavlefshme dhe antikushtetuese si për kuorumin e votave edhe për mungesën e një kundërkandidati, pasi Pacolli në shkelje të Kushtetutës së Kosovës ishte kandidati i vetëm për këtë post.
mit/NOA