English

U ka kaluar koha premtimeve të çastit

“Janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot. Jo, dhunë, por debat! Njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore”...

Nga Bamir Topi*

Në fakt është si gjithmonë një moment emocionues, që nuk ka të bëjë thjesht me një ritual të dorëzimit të disa vlerësimeve apo medaljeve, por mbrapa çdo vlerësimi, mbrapa çdo medaljeje është një pjesë e rëndësishme e historisë. Mbrapa çdo vlerësimi është një pjesë shumë e rëndësishme e personaliteteve dhe e individualiteteve, të cilat realisht, të gjithë së bashku përbëjnë historinë. Sot flasim pikërisht për një moment të rëndësishëm të historisë, që do të mbetet jo si një ditë e futur rastësisht në ditët e tjera, por si një ditë, e cila realisht është pikë e rëndësishme e referimit për ndarjen e botëve, për ndarjen e pozicioneve në një shoqëri, e cila vërtet tenton që të bëhet e hapur dhe demokratike. Thashë ‘tenton që të bëhet e hapur dhe demokratike’, sepse procesi ende nuk ka përfunduar.

Unë vlerësoj së pari kontributin tuaj. Askush nga ju që jeni të pranishëm këtu, por dhe shumë të tjerë që janë vlerësuar më parë, dhe shumë të tjerë, të cilët do të vijnë dhe do të vlerësohen në këtë institucion, nuk janë futur në veprime shoqërore për karrierë politike, sepse më rezulton mbi bazën e ligjit të probabilitetit, ata që sot janë në politikë, pak prej tyre kanë qenë pjesëtarë realë të ngjarjeve të rëndësishme. Mesa duket është arti i politikës, arti i bërrylave, që bën të mundur që protagonistët realë të mos zënë vendin e tyre. Dhe minimalisht mbesin tek vlerësimi honorifik, që gjithsesi është shumë i rëndësishëm. Ju vërtet jeni protagonistët realë të zhvillimeve demokratike. E keni parë njëri-tjetrin qysh në orët e para, pa menduar që dikush do të ishte në një pozicion, dikush tjetër në një pozicion tjetër. Bile, me koshiencë të plotë, unë pata preferuar që t’i largohem politikës dhe t’i shkoj në mënyrë konseguente profesionit, për të cilin isha përgatitur. Rrethanat vijnë të tilla dhe ndihem i vlerësuar që iu futa rrugës së politikës për të bërë disa kompensime morale nga ky pozicion, për të risjellë në këtë Zyrë përfaqësuese të Shqipërisë. Kjo është Zyra që, edhe sipas Kushtetutës, presupozon unitetin e popullit për t’i risjellë ato figura, të cilat kanë nevojë të fiksohen në histori, në të gjithë kontributin e tyre modest.

Shumë prej jush vazhdoni të punoni, pavarësisht gjendjes suaj ekonomike, pavarësisht se nuk jeni atje ku media është e pranishme. Vazhdoni të punoni çdo ditë, pikërisht për t’i risjellë këto vlera, për t’i risjellë në përmasa reale. Të sjellësh situatën në përmasa reale, do të thotë të jesh i vërtetë. Dhe unë ju përgëzoj sinqerisht! Ju përgëzoj, dhe ky është një ambient i hapur, tentojmë të ndërtojmë demokraci. Procesi vazhdon. Nuk është e arsyeshme që të dëgjojmë vetëm retorika politike. Nuk është e arsyeshme që intelektualët të fyhen me biseda pa nivel. Nuk është e arsyeshme që nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër të dëgjojmë vetëm komunikime që nuk i shkojnë auditorit, i cili e dëgjon. Kjo është arsyeja që ju më jepni motiv, që unë të flas në këtë mënyrë, më jepni motiv, sepse jeni veprues, jeni intelektualë, secili në linjën e vet, të gjithë së bashku për të bërë punë të mira.

Unë dëshiroj të vlerësoj, i nisur nga një predispozicion tradicional demokratik, edhe në ndjeshmërinë individuale. Edhe zotin Merkoçi, absolutisht e mirëkuptoj. Ai e tha: ‘Nuk është asgjë personale’. Pra, politika, e cila ka rregullat e veta, vendimmarrjet asnjëherë nuk janë personale, nuk janë individuale. Duhet të dijë të veprojë, duhet të dijë të vlerësojë historinë me nota realiste. Dhe politika e bën këtë nëpërmjet vendimmarrjes. Kështu që unë kujtoj gjithësecilin në ndjeshmërinë e tij, sepse e di që jeni njerëz të vërtetë. Edhe mënyra e reagimit ka të bëjë me ndjeshmërinë individuale, që nuk presupozon mungesën e dëshirës për të qenë i vlerësuar.

Unë sinqerisht e rikthej me shumë emocion atë ditë që u bë motiv për t’ju nderuar, por edhe shumë ngjarje të tjera. Unë kam pozicionin sot që t’i nderoj njerëzit. Juve si njerëz shumë fisnikë, tentuat të më ktheni me shumë mirënjohje një vlerësim për mua. Tani, jo për atë motiv, por për një motiv tjetër, unë do ta konsideroja të mjaftueshëm vlerësimin që më keni bërë ju, për të më propozuar si ‘Qytetar Nderi i Tiranës’. Unë ndihem ‘Qytetar Nderi i Tiranës’ pa çertifikatë, sepse i kam shërbyer këtij qyteti në të gjitha dimensionet e veta. Do t’i shërbej këtij qyteti kur të mos kem asnjë pozicion, sepse të ndihesh qytetar i Tiranës, kur je i thjeshtë, kur je pa pozicion. Kështu që unë e vlerësoj me mirënjohje propozimin, por ai propozim le të mbesë aty, sepse unë nuk do të kërkoja të vazhdoja për ta marrë.

Sinqerisht, jemi në momente shumë të rëndësishme, kur vërtet njeriu ndonjëherë ndihet i paorientuar, kur debatet e vogla, pa substancë, ngrihen dhe dominojnë të gjithë qenien tonë, të gjithë ambientin familjar, ambientin shoqëror. Unë do të dëshiroja që, edhe nga ky mjedis, të cilin ju siguroj që e vlerësoj shumë, duke ju njohur personalisht, duke qenë pothuajse i informuar për të gjitha linjat jetësore të gjithësecilit, dhe nga ky buron vlerësimi për ju, secili në pozicionin e tij, por, sikurse thashë të gjithë së bashku, për të rritur standardet e demokracisë! Është momenti që t’u bëhet thirrje të gjithëve. Është tepruar ndoshta me këtë fjalë ‘T’u bëjmë thirrje, thirrje, thirrje’. Jo, është detyrim. Secili ka detyrim, se nuk besoj të marrë njeri ndonjë injeksion që të futet me detyrim në politikë. Jo, ka hyrë me dëshirë. Por, kur të futesh në politikë, duhet të dish minimalisht të jesh i sinqertë dhe u bëj thirrje të gjithëve që politika të jetë e sinqertë. Të jetë e sinqertë, të bëjë debatin real dhe mbas debatit të ketë produkt! Kjo është arsyeja që vazhdimisht, në mënyrë shumë frekuente dhe gjatë këtyre ditëve, unë kam bërë apel për 8 majin.

8 maji është dita e rinovimit të pushtetit vendor. Partitë demokratike, sipas rregullit në demokraci, të futen në garë, të respektojnë rregullat, të pranojnë rezultatin dhe qytetari e ndjen që këtu mbyllet një etapë, për të filluar një etapë tjetër, që, ata që kanë marrë votën e qytetarit t’i shërbejnë qytetarit. Dhe ky shërbim nuk është falas, sepse qytetari është i mbushur me dhjetëra taksa. Pra, nuk është se politikanët na kanë në dorë jetën ne të gjithëve, si qytetarë. Jo, kanë detyrimin për ta administruar taksën, sepse kështu është rregulli i demokracisë. Secili jep taksat, pranon një administrim të caktuar, një vizion politik, dhe pastaj kërkon llogari. Pra, thirrja është vërtet e rëndësishme për të gjithë ata që sot marrin pjesë në një garë elektorale dhe aq më shumë për ata që do të zgjidhen, qoftë në krye të komunave, të bashkive, por sidomos nëpër këshillat bashkiakë. Sepse kemi qenë dëshmitarë se si këshillat bashkiakë, në mjaft raste janë bllokuar, për kapriçio, një telefonatë që vjen nga diku: ‘Shiko, mos merr pjesë ti atje’! Ndërkohë që bllokohen procedura, bllokohet zhvillimi i qytetit dhe pastaj rikthehemi. Dhe ndoshta ke të drejtë në këtë pikë, sepse sot Unaza e Tiranës është me vendimin e Kryeministrit të fundit të qeverisë komuniste, të Adil Çarçanit. Ke një të drejtë! Pra, që të mos hyjmë në situata të tilla, duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot. Jo, dhunë, por debat! Njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore. Dhe projektet madhore i bëjnë njerëzit e kualifikuar, njerëzit politikanë, qytetarë, njerëz me vizion. Prandaj, kjo është e arsyeshme që, edhe nisur nga predispozita të tilla, ne kemi nevojë që, edhe ju të jeni të pranishëm, pikërisht për t’i kërkuar politikës këtë. Edhe propozime të tjera, që janë shumë të arsyeshme, sikurse i paraqitëm. Gjithsesi, unë padashur që t’i jap një natyrë tjetër, por më shumë, i nxitur pozitivisht nga ato propozime, unë mora fjalën dhe në fakt, kjo fjalë shkon, në pjesën më të madhe për të vlerësuar të gjithë përkushtimin tuaj, karrierën tuaj, karrierën e njerëzve të thjeshtë, por që sot kanë lënë një emër të madh.

Urime dhe njëherë, urime juve, familjeve tuaja!”

Ndërsa në emër të protagonistëve të ngjarjes së shënuar historike, të 20 shkurtit 1991 përshëndeti zoti Sajmir Maloku, i cili mes të tjerash theksoi:

“Sot, në këtë ditë nderimi, ju sjell në vëmendje të pranishmëve se është fat që Kryetari i Shtetit nderon protagonistët aktivë të atyre ditëve të paharruara për kombin tonë, kur diktatura komuniste, megjithëse ishte në grahmat e fundit, siç ishte mësuar për 45 vite me radhë, të kërkonte të mbante në qendër të kryeqytetit, në Sheshin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, monumentin e Enver Hoxhës, të diktatorit më të egër të Evropës.

Kjo ditë bindi më shumë popullin demokrat të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, se epoka e diktaturës komuniste kishte marrë fund. Kjo ngjarje erdhi si pasojë e urrejtjes së madhe të popullit shqiptar, e grumbulluar për afro gjysmë shekulli nga vuajtjet që i shkaktoi atij regjimi komunist. Ishte populli demokrat i Tiranës, protagonisti kryesor i asaj dite, i udhëhequr ngha Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe i mbështetur fuqimisht nga shtresa e ish të përndjekurve politikë. Ishin ish-të përndjekurit politikë, të cilët më shumë se çdo pjesë tjetër e shoqërisë kishin pësuar dëmin më të madh njerëzor, si me humbje jete, me burgime dhe internime gjysmë shekullore. Në këtë ditë të shënuar, partitë politike u distancuan nga pjesëmarrja në këtë protestë popullore. Kjo është e vërteta që ne duhet të themi gjithnjë.

I takon popullit të Tiranës, si fitimtar i kësaj beteje historike të bëjë nderimin e kësaj dite.

Dita e 20 shkurtit të çdo viti do të përkujtohet dhe do të nderohet jo vetëm nga shtresa e ish të përndjekurve politikë, por edhe nga i gjithë populli shqiptar.

Falenderojmë Shkëlqesinë e Tij, zotin Bamir Topi, President i Republikës, që gjatë gjithë mandatit të tij, me autoritetin e Kryetarit të Shtetit, ka shprehur vazhdimisht ndjeshmërinë për të vënë në piedestalin e kombit, vlerat dhe aktet e rëndësishme historike. Me këtë rast, theksojmë se zoti Bamir Topi ka qenë së bashku me ne, protagonistët e asaj dite, në krye të turmës së protestuesve.

Me këto dekorime nderohet dhe respektohet gjithashtu edhe populli demokrat i Tiranës për kontributin e madh dhënë për fitoren e demokracisë në vendin tonë.”

*Fjala e kreut të shtetit gjatë dekorimit të personaliteteve të ndryshme me kontribut të veçantë në rrëzimin e simboleve të komunizmit

KOMENTE