Tiranë, 5 prill 2011, NOA Update – Kur mbeten vetëm dy ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit dhe kur incidentet mes forcave politike kanë nisur të bëhen pjesë e saj, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i ka bërë thirrje partive politike të shmangin incidentet elektorale dhe të bëjnë fushatë me argumente dhe projekte konkrete.
Wollfarth dënoi rëndë incidentet e ditëve të fundit, si plagosjen e kandidatit të “Aleancës për qytetarin” në komunën Balldren të Lezhës Zef Doçi dhe plagosjen e kryeinspektorit të Policisë Ndërtimore pranë Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja duke theksuar se në një fushatë elektorale nuk duhet të ketë vend për dhunë, por për projekte.
Wollfarth i bëri thirrje partive politike të angazhohen në një lojë të pastër dhe të respektojnë kodin zgjedhor.
“Një fushatë elektorale ka hapësirë për argumente dhe partitë duhet të përcjellin argumentet e tyre, por nuk ka asnjë hapësirë për dhunë”, tha ambasadori Wollfarth.
Ndërkohë edhe ambasadori i hollandës në Tiranë Van Den Dool u kërkoi partive të respektojnë kuotën prej 30 përqind të pjesëmarrjes së grave në politikë në zgjedhjet elektorale administrative të 8 majit.
Van Den Dool shprehu njëherësh keqardhjen që kjo përqindje nuk është zbatuar nga asnjëra prej forcave politike.
Ambasadori hollandez apeloi që “Deputetët duhet të punojnë për të zgjidhur hallet e njerëzve. Ligji parashikon 30% të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe nuk është respektuar”, tha ai.
Zoti Van Den Dool i bëri thirrje politikës të respektojë këtë kuotë si një argument të rëndësishëm për demokracinë.
Ai theksoi se është e rëndësishme edhe përfshirja e të rinjve në politikë.
Këto deklarata dy ambasadorët Wollfarth dhe Van Den Dool i bënë gjatë inaugurimit të arkivës së re të Kuvendit, e realizuar me një investim të qeverisë hollandeze.
mit/NOA