Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa në një dalje për mediat deklaroi se ditën e nesërme rilind shpresa për shqiptarët dhe shqiptarët.
“Ditën e nesërme, në pallatin e Kongreseve, në orën 17, nuk do të prezantohen vetëm kandidatët e “Aleancës për të Ardhmen”, por nesër do të nisë udhëtimi ynë i përbashkët, në të vetmen rrugë për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Ajtyresa.
Sipas saj në këtë takim, Shqipëria do të njihet me ekipin që do të vazhdojë ndryshimin rrënjësor të bashkive e komunave që janë qeverisur deri më sot nga socialistët.
Më tej ajo shtoi se, “Vizioni ynë i ri për të gjithë ata shqiptarë që duan të shkëputen njëherë e mirë nga pushteti i Saliut dhe Ilirit dhe që në 8 maj jo vetëm do i thonë kurrë më korrupsionit dhe kusarisë, por do të votojnë masivisht për të vetmen rrugë, për Partinë Socialiste dhe kandidatët e Aleancës për të Ardhmen”.
Ajtyresa theksoi se, e vetmja rrugë për të ardhmen, e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët është Partia Socialiste dhe kandidatët e “Aleancës për të Ardhmen”.
a.y/NOA