English

Arben Malaj: Zgjedhjet vendore, po kthehen në një garë parlamentare

Uashington, 6 prill, NOA - Rreth një muaj para zgjedhjeve për pushtetin lokal në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara ndodhet këto ditë për një vizitë deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj. Malaj ishte i ftuar për një intervistë në programin televiziv “Ditari”.

Zoti Malaj, ju ndodheni për një vizitë në Shtetet e Bashkuara kur zgjedhjet lokale në Shqipëri janë shumë pranë. Cili është synimi i vizitës tuaj në Uashington këtë herë?

Gjatë kësaj vizite, së bashku me kolegun Harasani, ne kemi patur mundësi të bëjmë takime në Institutin Republikan Amerikan, në Institutin Demokratik, kemi takime të programuara në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, dhe ajo që është më kryesorja, së bashku me një koleg tjetër, do të jemi në një forum, në Qendrën e Studimeve Strategjike Ndërkombëtare, për të diskutuar rreth shkaqeve të krizës aktuale, domosdoshmërisë për të dalë nga kriza, pasojat që ajo i sjell vendit, si në procesin e integrimit, por edhe në sfidat ekonomike e sociale që bëhen më të mprehta dhe disa opsione alternative, të cilat mund të diskutohen në një forum ku marrin pjesë ekspertë shumë të mirë të këtij instituti, por duket që do të ketë edhe shumë të interesuar të tjerë. Do të diskutohet për opsionet më të mira, të cilat Shqipëria, e ndodhur në një krizë gati 2-vjeçare për shkak të kredibilitetit të zgjedhjeve parlamentare, rrezikojnë gjithnjë e më tepër që të ketë kostot e saj në sfidat e ardhshme të vendit.

Pikërisht, duke i qëndruar këtyre çështjeve, të cilat ju do të diskutoni ditën e enjte këtu në Uashington. Gjendja politike në Shqipëri ka qenë tepër e tensionuar nga zgjedhjet e kaluara dhe është folur gjatë kësaj periudhe për një “popull opozitar”. Ndërkohë, Shqipëria ka shënuar një sërë arritjesh, natyrisht në të gjitha sferat, që i takojnë të gjithë popullit shqiptar. Si do ta shpjegonit ju këtë shprehje “popull opozitar”?

Besoj edhe ajo që theksoi zoti Kantrimen në vizitën e tij të fundit në Shqipëri, rezultatet e arritura nga vendi, si në sfidat që ka patur ai pas krizës së rëndë të 1997, arritja për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe disa hapa konkrete në integrimin europian, apo në sfera ekonomiko-sociale, realisht janë pjesë e të gjitha qeverive dhe çdo ngjarje, apo copëzim i kontributeve, vetëm e vështirëson analizën e faktorëve të suksesit dhe kjo i bën më tepër më prezent debatet e mbingarkuara partiake për shkaqet e krizës.

Pikërisht, ky polarizim kaq i madh i politikës, a ju duket se po shkakton edhe polarizimin e popullit në Shqipëri dhe natyrisht, që kjo po e dëmton imazhin e vendit?

Sigurisht, që në të gjitha takimet, por edhe në forum, unë theksoj se ndodhem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam qytetar dhe politikan i vendit tim dhe nuk kam ardhur këtu për të sjellë, apo eksportuar tensionet e larta politike që ka në vendin tim por realisht, që mbaj parasysh për të parë, në se mund të dalim nga kjo krizë.

U bënë dy vjet, Parlamenti funksionon në mënyrë shumë jo-funksionale, asnjë ligj nuk është miratuar për reformat që kërkohen, 12 kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për statusin e vendit kandidat janë jashtë axhendës së partive politike; të gjithë së bashku rrezikojmë të dështojmë dhe të mbetemi në klasë për herë të dytë për t’u bërë vend kandidat i Bashkimit Evropian.

Nuk bëhet fjalë thjesht për diçka politike, por çështja është edhe ekonomike. Duke mbetur në klasë për herë të dytë, ne politikanët i kemi krijuar një kosto shtesë vendit, për të patur më shumë akses në politikat dhe në fondet e BE-së, që asistojnë vende ku konkurenca është rritur, mundësia për të konkurruar e trashëguar ka qenë e vogël dhe sfidat janë të mëdha për biznesin shqiptar.

Gara më e rëndësishme, do të thoja është ajo për Bashkinë e Tiranës. Ka patur opinione të ndryshme në lidhje me kandidimin e zotit Rama përsëri për Bashkinë e Tiranës. Cili është mendimi juaj?

Për fat të keq, është kjo çështje që shikohet me shumë shqetësim, edhe nga diplomacia amerikane, edhe nga ajo e Bashkimit Evropian. Për fat të keq, zgjedhjet vendore po kthehen në një garë parlamentare. Pra, partitë politike duket se nuk do të jenë të interesuara se cilat komuna dhe bashki do të fitojnë, por sidomos për votën popullore, për të mbrojtur pozicionet respektive. Partisë Demokratike do t’i duhet vota popullore për të legjitimizuar problematikën e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa Partisë Socialiste dhe aleatëve të i saj i duhet shumica e votës së shqiptarëve për të gjetur një mbështetje më të plotë për qëndrimet e saj kritike, deri dhe bojkotuese, për këto zgjedhje.

Pikërisht, Partia Socialiste duket se po zhvillon një fushatë politike, në vend që mitingjet e saj të jenë një tribunë opsionesh që ajo ofron për përmirësimin e jetës së qytetarëve të thjeshtë. Ç’mendoni për këtë?

Unë besoj që nuk mund të bëjmë përgjegjëse opozitën e asnjë vendi për kriteret, për standardet e zhvillimit të zgjedhjeve në çdo vend. Aq më tepër, të zgjedhjeve vendore.

Jo, unë e kam fjalën për fushatën dhe opsionet që paraqet opozita aktuale për qytetarët shqiptarë...

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, në qoftë se maxhoranca, që i ka të gjitha instrumentet për ta reduktuar këtë lloj ambienti të mbingarkuar politik, pra siç është theksuar edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it për 2009-ën, janë tre faktorë që qeveria e keqpërdori për zgjedhjet: keqpërdori administratën publike, që duket se po bën të njëjtën gjë, keqpërdori fondet buxhetore, duket se po bën të njëjtën gjë, keqpërdori dhe rriti riskun e keqpërdorimit të medias, që është një faktor shumë i rëndësishëm në garat elektorale.

Megjithatë nuk është arritur ende një marrëveshje elektorale. Përse opozita nuk i ka përmendur më parë këto vërejtje që ju përmendët?

Sigurisht, që duhet të kishin dalë më përpara, por kjo nuk do të thotë që faktet konkrete që opozita paraqet (dhe do ishte shumë mirë dhe unë besoj që OSBE-ODIHR-i nuk do të vijë 3 ditët e fundit të zgjedhjeve, por si një nga institucionet që ka të drejtën t’i certifikojë zgjedhjet, duhet të asistojë rritjen e përgjegjësisë për të bërë përmirësimet e nevojshme), të trajtohen jo thjesht si kërkesa të Partisë Socialiste, apo të aleatëve të saj, por si kërkesa për plotësimin e standardeve. Në se ka probleme në lista, ato duhen përmirësuar sa më parë. Në qoftë se do ia trashëgojmë periudhës së mëparshme, ato do të jenë faktorët që pas zgjedhjeve, situata politike të jetë e njëjtë, ose më e vështirësuar dhe pikërisht, ky është shqetësimi më i madh. Edhe në takimet që ne kemi patur këtu, cili do të jetë ambienti politik pas zgjedhjeve? Duket se deri tani, agresiviteti politik dhe ngjarjet që kanë ndodhur, edhe në ballafaqimet mes kandidatëve, të japin pak shpresë që të kemi një ambjent të përmirësuar. Por në se nuk do të arrijmë dot që të kemi një ambjent të përmirësuar politik, fatkeqësisht, dhe të jemi të përgjegjshëm, që në mënyrë të papërgjegjshme i kemi krijuar kosto shtesë vendit tonë.

Zoti Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste me një frymë të re, për një politikë të re. Çfarë të rejash mendoni se ka sjellë ai në PS?

Unë besoj dhe është një debat që ne e kemi bërë publik, kemi marrë dhe një lloj përgjegjshmërie publike bashkë me disa kolegë, që nuk kemi ngurruar dhe kemi kërkuar mirëkuptimin e anëtarësisë së Partisë Socialiste, për të kërkuar që modeli që Partia Socialiste duhet të krijonte avantazhin në opinionin publik, të ishte modeli i thellimit të modernizimit të Partisë Socialiste; pra një parti e hapur, një parti në të cilën bëhet karrierë mbi bazën e meritokracisë, një parti që orientohet nga avantazhet dhe jo thjesht nga dështimet e qeverisë. Sigurisht, që modernizimi i forcave politike është një proces jo i shkurtër dhe aq më tepër nuk është një akt individual, apo i menjëhershëm.

A do t’i pranojë Partia Socialiste rezultatet e këtyre zgjedhjeve?

Deri tani, shohim që Partia Socialiste publikisht dhe në mënyrë të përgjegjshme ka paraqitur shqetësimet e saj për disa elemente thelbësorë të logjistikës elektorale edhe vendore. Dhe përgjigja do të jetë në varësi nga mënyra se si do menaxhohen, sa seriozisht do trajtohen, a do shikohen këto si mundësi që duhen zgjidhur, se do të ndihmojnë në ambjentin politik, apo do të mbetemi në atë ngërçin e pozicionit strikt të forcave kryesore politike dhe pastaj do të jetë e vështirë të kemi një përgjigje kaq të prerë një muaj para zgjedhjeve.

VOA

KOMENTE