Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Kryeministri Berisha, gjatë pasdites së sotme mori pjesë në çeljen e ekspozitës me vepra të piktorit kosovar të gjysmës së dytë të shekullit të shekullit të XX, zotit Muslim Mulliqi.
Piktori Mulliqi është cilësuar si piktori më i madh i Kosovës dhe themelues i shkollës së artit në Prishtinë.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Kryeministri Berisha e vlerësoi piktorin Mulliqi, si një prej kolosëve më të mëdhenj, të arteve pamore të botës shqiptare, në të gjitha kohërat.
“Sot, është një ngjarje shumë e veçantë pasi së bashku inaugurojmë këtë një ekspozitë me vepra të njërit prej kolosëve, më të mëdhenj të arteve pamore të botës shqiptare të të gjitha kohërave, zotoi Muslim Mulliqi. Muslim Mulliqi në jetën e tij relativisht të shkurtër ia doli të përfaqësojë gjeninë krijuese të kombit tonë në mënyrën më dinjitoze, më të arrirë. Ai ne veprën e tij paraqiti realitetin i cili e frymëzonte atë, paraqiti ëndrrën e tij, paraqiti, qëndresën luftën e popullit të tij me një mjeshtëri me një nivel artistik të pashoq”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Sipas tij, Muslim Mulliqi ka qenë disa herë para artdashësve të Tiranës, sikundër edhe para artdashëve të vendeve te ndryshme te Evropës.
Kryeministri i vlerësoi veprat e piktorit, që sa më shumë të paraqiten para artdashësve, aq më shumë ata i afrohen një realiteti, i cili do të mund të quhej botë krijuese shqiptare që është një e pandare sepse e tillë është kultura e popullit tonë.
Sipas shefit të qeverisë, “Sot vepra e Mulliqit paraqitet më e madhe se kurrë dhe kohërat do të bëjnë atë gjithnjë e më të mëdha, sepse një poet dhe njëkohësisht piktor i madh, ndoshta më i madhi i kombit të tij, Uilliam Blake thotë diku: Kombet rrënohen ose lulëzojnë, kur atyre ju rrënohet ose ju lulëzon poezia, piktura, muzika. Kombi qëndron dhe sot Kosova është e lirë sepse atij i lulëzon arti, muzika, letërsia dhe në këtë aspekt veprat e Muslim Mulliqit janë në kurorën e këtij lulëzimi”.
Kryeministri Berisha i ftoi përfaqësuesit e institucioneve kulturore të Shqipërisë dhe të Kosovës që të intensifikojnë veprimtari të tilla, për tu bërë të njohur shqiptarëve, pasuritë e mëdha, visaret mahnitëse kulturore që ky komb disponon.
Në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi.
a.y/NOA