Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Deputeti demokrat Gerti Bogdani në një dalje para medieve reagoi lidhur me deklaratat e selisë rozë, të cilët sipas tij kundërshtojnë prioritetet e studentëve.
Sipas Bogdanit, kushdo që ka qenë student e di mirë se sa e vështirë është të vazhdosh jetën akademike dhe të përballosh shpenzimet e përditshme në Tiranë, pasi tha ai, arsimi është e ardhmja dhe këtë e tregoi edhe Lulzim Basha i cili ishte në mes të studentëve ku prezantoi një projekt realist për të krijuar sa më shumë lehtësira për ta.
“Edi Rama dhe satelitët e tij, që një herë dalin kundër kartave të identitetit dhe një herë kundër kartës së studentit, duhet ta dinë se studentët kanë sfida të rëndësishme përpara, dhe duhet t’u vijë turp që çështjen e studentëve e bëjnë pjesë të politikës së tyre të shpifjeve dhe përbaltjes ndaj kundërshtarit”, u shpreh Bogdani.
Ndër të tjera ai tha se, Rama në vend që të punojë për të përmirësuar kushtet e studentëve, vazhdon politikën e tij që nuk sjell asnjë shkollë të re, asnjë bibliotekë të re, asnjë rrugë të re, asnjë vend të ri pune, dhe asnjë zgjidhje të problemeve që ka Tirana.
a.y/NOA