English

Doganat: Nuk ka hyrë asnjë kamion me plehra në Shqipëri

Tiranë, 6 prill, NOA – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka hedhur poshtë mundësinë e importit të plehrave në vend. Në një reagim publik, kjo drejtori sqaron se nuk ka pasur, gjatë ditës së djeshme, asnjë kompani transporti që ka sjellë plehra në Portin e Vlorës.

“Ne lidhje me denoncimin e Organizatës “Rinia Aktive” mbi ardhjen ilegale te plehrave ne Shqipëri, e pasqyruar dhe komentuar ditën e sotme nga disa media të shkruara dhe elektronike, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmon se: Në Portin e Vlorës nuk ka asnjë import apo tranzitim mbetjesh të çfarëdo lloji qofshin ato. Subjekti “Shpati” sipas të dhënave të sistemit informatik doganor nuk ka asnjë lloj aktiviteti import-eksporti”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj drejtorie.

Nisur nga publikimi i lajmit të importut të plehrave gjatë mbrëmjes së djeshme nga Porti i Vlorës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton mediat si edhe organizatat e interesuara qe përpara se të bëjnë deklarime apo denoncime që kanë lidhje me veprimtarinë doganore, të adresohen pranë kësaj drejtorie për të marrë informacionin e saktë.

a.k/NOA

KOMENTE