Bilisht, 6 prill, NOA – Një 49-vjeçar është gjetur i mbytur në liqenin artificial të qytetit të Bilishtit në qarkun e Korçës. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se personi i mbytur është Avni Nastimi, banor i Bilishtit.
Trupi i pajetë i 49-vjeçarit është gjetur nga dy persona që kanë shkuar për peshkim në liqen gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.
Menjëherë janë njoftuar forcat e policisë së Bilishtit dhe të komisariatit të Devollit. Pas nxjerrjes së trupit të Nastimit, janë bërë dhe verifikimet e para nga grupi hetimor i policisë. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se Nastimi nuk ka pasur shenja dhune në trup, gjë që hedh poshtë mundësinë e ushtrimit të dhunës dhe më pas hedhjen e trupit në liqen.
Ndërkohë, policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së Nastimit. Gjatë orëve të natës policia ka marrë dëshmitë e familjarëve të 49-vjeçarit. Në pyetje janë marrë dhe një pjesë e banorëve të zonës përreth që kanë pasur kontaktet e fundit me viktimën.
a.k/NOA