Tiranë, 6 prill, NOA - Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka thënë për gazetën kroate “Vecernji list”se Dick Marty në raportin e tij përshkruan situata të paqena. Ai ka theksuar se me këtë raport janë bërë përpjekje të shkatërrohet vendi, shoqëria dhe udhëheqja politike e Kosovës.
E përditshmja kroate “Veçernji list” ka zhvilluar një intervistë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, derisa ky ndodhej për vizitë në Kroaci.
I pyetur nëse vendimi i Kushtetueses për shpalljen e presidentit Behgjet Pacolli jokushtetues, mund ta destabilizojë Kosovën, ai është përgjigjur se as që mund të flitet për destabilitet.
“Vendimi nuk ka të bëjë me kryeministrin, meqë bëhet fjalë për dy procedura të ndryshme. Vendimi është një shembull i mirë se Kosova përbën një demokraci të re dhe se sistemi funksionon. Gjykata ka vendosur vetëm mbi procedurën e zgjedhjes së presidentit. Ne tani duhet të ulemi e të gjejmë një president të ardhshëm. Në një të ardhme jo të largët atë ndoshta nuk duhet ta zgjedhë parlamenti, por qytetarët. Por, për këtë duhet të ndodhin ndryshime në Kushtetutë dhe në sistemin zgjedhor”, citohet të ketë thënë Hoxhaj, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq në lidhje me akuzat e EULEX’it kundër ish-ministrit të Komunikacionit, Fatmir Limaj, për krime lufte Hoxhaj ka thënë se akuzat na kanë befasuar. Limaj ndaj këtyre akuzave është përgjigjur në Tribunalin e Hagës dhe është liruar. Por, meqë bëhet fjalë për gjyqësinë, qeveria nuk dëshiron të përzihet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime, kurse Limaj sikurse të tjerët ka luftuar për liri.
Enver Hoxhaj i ka thënë “Veçernji listit”se Dick Marty në raportin e tij përshkruan situata të paqena. “Por, tani ekziston raporti dhe ne, qeverisë, e cila po bashkëpunon me EULEX-in pa rezerva na intereson të zhvillohet hetim i paanshëm dhe sa më parë të ndriçohen faktet. Qëndrimi ynë është se me këtë raport janë bërë përpjekje të shkatërrohet vendi, shoqëria dhe udhëheqja politike. Pse? Për këtë duhet të pyetet Marty”, ka thënë ai.
“Ka disa vende si Greqia e Spanja, të cilat nuk na kanë njohur, prandaj nuk mund të fillojnë bisedimet me ne, që është frustuese. Sivjet do të punojmë me kujdes që t’i dëshmojmë Brukselit sesa dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira me shtetet e tjera dhe sa japim rëndësi liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë të njerëzve e ideve.
Marrëdhëniet me Greqinë e Spanjën ai i cilësoi shumë të mira. Ato po hezitojnë të na njohin, por njohja është gjithmonë çështje e situatës ndërkombëtare dhe e interesave kombëtare. Pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka arsye të mos e njoh Kosovën. Rasti ynë është unik dhe i tillë duhet të kuptohet”, ka thënë Hoxhaj, duke folur për marrëdhëniet me Brukselin.
NOA