English

Komisioni miraton pa opozitën amnistinë fiskale, ja kategoritë përfituese

Tiranë, 6 prill 2011, NOA - Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot vetëm me votat e mazhorancës projektligjin e debatuar “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”, apo thjesht të njohur si projektligji i amnistisë fiskale.

Por, diskutimi për këtë projektligj ka shkaktuar debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, që ka sjellë edhe largimin e opozitës nga komisioni, pasi sikundër deklaruan deputetët e opozitës ligji për amnistinë fiskale bëhet vetëm për fushatë elektorale.

Më parë komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë si palë e interesuar në lidhje me projektligjin, ku u njoh edhe me qëndrimin dhe sugjerimet e Dhomës së Tregtisë, që u paraqitën nga kreu i këtij institucioni Nikolin Jaka.

Më pas ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi në komision se kategoritë që përfitojnë nga amnistia fiskale janë këto: individët, biznesi i vogël dhe ai i madh.

Në këtë iniciativë nuk përfshihen detyrimet tatimore e doganore për vitin 2011, si dhe një pjesë e atyre të viteve 2009 dhe 2010.

Sipas Bodes bizneset duhet që të përfitojnë nga ky proces që të formalizojnë njëherë e përgjithmonë marrëdhënien me administratën fiskale.

“Nuk përfitojnë nga kjo amnisti të gjitha veprat penale që bëjnë pjesë në veprimtarinë e krimit të organizuar, përfshirë dhe kundravajtjet penale që kanë të bëjnë me fshehjen dhe mospagimin taksave’, deklaroi Bode në Komisionin.

Mandej komisioni vijoi punën me shqyrtimin dhe miratimin në parim dhe nen për nen të projektligjit në fjalë.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e kaluan edhe në tërësi projektligjin dhe u shprehën dakord për kalimin e tij për miratim në séance plenare .

mit/NOA

KOMENTE