English

Krasniqi mbledh krerët e politikës për zgjidhjen e krizës, Vetëvendosje vë kushte

Prishtinë, 6 prill 2011, NOA- Presidenti në Detyrë i Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi ditën e sotme ka zhvilluar takime konsultuese me përfaqësuesit e këtyre partive parlamentare për zgjidhjen e krizës në vend.

Të pranishëm në takim kanë qenë Isa Mustafa, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Glauk Konjufca, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Shala, Nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Klinaku, Kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Sllobodan Petroviç, Kryetar i SLS-së, Mahir Yagcilar, nga 6+. Gjatë këtij takimi, pikëpamjet dhe qëndrimet e shumicës së partive politike konsistonin në faktin se për t’i dhënë rrugëzgjidhje situatës së krijuar do të ishte mirë që të bëhen ndryshimet kushtetuese që përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Një mendim të diferencuar kishte Lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon ndryshime rrënjësore të kushtetutës. sipas Vetëvendosjes, ndryshimet kushtetuese do të duhej të bëhen në dy faza: -Në fazën e parë duhet të bëhen ndryshime vetëm sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit, ndryshime këto që do të përcaktojnë zgjedhjen e presidentit jo nga Kuvendi i Kosovës por drejtpërdrejt nga qytetarët. Duke pasur parasysh vendimin e gjykatës Kushtetuese, Republika e Kosovës ka Ushtrues Detyre të Presidentit për gjashtë muaj duke filluar nga 31 marsi kohë kjo që mjafton për t’u bërë ndryshimet kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve për zgjedhjen e Presidentit drejtë për drejtë nga qytetarët. -Në fazën e dytë duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe reforma zgjedhore të cilat do të hapnin rrugën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare sipas një marrëveshje që do të arrihej nga partitë politike.

a.y/NOA

KOMENTE