Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Dega e Partisë Republikane në Tiranë gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me kandidatët dhe këshilltarët bashkiakë e komunalë.
Kryetari i kësaj partie Fatmir Mediu së bashku me drejtuesit e tjerë të saj shprehën edhe një herë mbështetjen e saj për kandidatin e përbashkët të “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Mediu deklaroi se: “Fitorja e “Aleancës, për qytetarin”, më 8 maj, është fitorja e shqiptarëve. Më 8 maj do të vendosen përballë dy alternativa: ajo e maxhorancës, e cila kërkon të përcjellë e të dëgjojë zërin e çdo qytetari në çdo cep të Shqipërisë, dhe alternativa e opozitës,e cila dëgjon vetëm një zë: atë të etjes për pushtet të një individi të vetëm”.
Ai e cilësoi Bashën, si kandidatin më të mirë të së djathtës, duke theksuar se shumë procese, që kanë ndryshuar faqen e Shqipërisë, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me emrin dhe punën jashtëzakonisht të suksesshme që ka kryer ai.
Më tej Mediu shtoi se tre shtyllat e programit të PR-së, janë kombi, familja dhe prona.
Sipas tij, kjo fushatë është një tjetër shans, për të ritheksuar edhe njëherë se individi, familja, kombi janë elementë të pandarë.
Ndër të tjera, kreu i PR-së theksoi se tashmë çështja e pronës është prioritet edhe i gjithë koalicionit “Aleanca për qytetarin”.
a.y/NOA