English

Meta: Iku koha e arrogancës së Ramës, Basha ndihmon qytetarët të jetojnë në harmoni

Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Lëvizja Socialiste për Integrim ka zgjedhur ambientet e liqenit të Tiranës për të prezantuar sloganin e saj për kryeqytetin.

“Ndryshimi i vërtetë për Tiranën”, u prezantua nga drejtuesit e kësaj partie si slogani i fushatës, ndërkohë që gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së Ilir Meta tha se, asnjë kryeqytet nuk ka kryetar bashkie si Edi Rama i cili nuk punon dhe nuk tregon programin e tij të punës.

Sipas tij, jeta e një qytetari shkurtohet 1.5-2 vjet për shkak të ndotjes së Tiranës.

Ai shtoi se prej disa vitesh është penguar qëllimisht ndërtimi i Unazës së Madhe, pasi interesat e ngushta, kanë dominuar mbi interesat e komunitetit të Tiranës.

“Politika e fasadave është shumë e vjetër, ndaj duhet një ndryshim i vërtetë për Tiranën, një ndryshim në dobi të çdo qytetari të Tiranës, sepse qytetarët e Tiranës, nuk kanë nevojë për një kryetar bashkie që shikon interesat e tij, por ka nevojë për një kryetar bashkie që ti ndihmojë qytetarët të jetojnë në harmoni dhe ky kryetar i ri është Lulzim Basha”, deklaroi Meta në fjalën e tij.

Ndër të tjera kreu i LSI-së tha se, Tirana është lodhur nga drejtimi arrogant dhe ka nevojë për një drejtim të njerëzishëm, ka nevojë për një vizion që e bën të jetë gjithmonë e para, dhe kjo tha ai, nuk bëhet vetëm në fushatë elektorale.

Meta e mbylli fjalën e tij me thirrjen drejtuar qytetarëve: “Jam i bindur se në 8 maj me votën e të gjithë qytetarëve të Tiranës të lodhur nga politika e mllefit dhe e mospërfilljes, do të shkojnë të votojnë për ndryshimin e vërtetë të Tiranës”.

a.y/NOA

KOMENTE