Vlorë, 6 prill, NOA – Partia G99 ka organizuar sot në qytetin e Vlorës dëgjesën “Sfida dhe perspektiva urbane në prag të zgjedhjeve lokale 2011”. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm drejtues të kësaj force politike, ekspertë të shoqërisë civile lokale, si dhe studentë të universitetit publik të Vlorës.
Kryetari i G99, Ervin Mete tha gjatë takimit se partia G99 do të organizojë një fushatë të ndryshme ku ana më e rëndësishme do të jetë dëgjimi i të qeverisurve dhe dëgjimi i shqetësimeve specifike të komuniteteve. Mete i ftoi të rinjtë të merrnin pjesë aktivisht në politikëbërje.
"Jemi këtu për një kontratë të re me ju, për të qenë zëri i të rinjve në këshillat bashkiake,"- tha Mete në vazhdim të linjës së G99 e cila sërisht këto zgjedhje kërkon si mbështetje kryesore votën e të rinjve”, tha Mete.
Prezantimet nga shoqëria civile në Vlorë u fokusuan mbi nevojën për një platformë të përmirësuar të komunikimit të qytetarëve me pushtetin lokal si një rrugë për të përcjellë shqetësimet konkrete në strukturat vendimmarrëse, një rezultat i dalë nga sondazhi i qendrës rinore Vlorë. Robert Murataj nga qendra mjedisore Aarhus argumentoi nevojën që qytetarët të njihen me platformat mjedisore të kandidatëve. Studenti Ramion Kurti foli për disa nga kërkesat e studentëve të Vlorës për të përmirësuar procesin mësimor.
Në këtë aktivitet G99 ka prezantuar kandidatin e saj kryesor për këshillin bashkiak të Vlorës, Armando Lagji i cili theksoi rëndësinë që të dëgjohet zëri i qytetarëve të komunitetit në bërjen e platformave politike.
a.k/NOA