Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço zhvilloi gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me biznesmenë dhe sipërmarrës të Tiranës, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.
Thelbi i këtij takimi ishte evidentimi i problemeve që has biznesi gjatë veprimtarisë së tij.
Ministri Naço shprehu mbështetjen e tij për iniciativën e Dhomës së Tregtisë për Amnistinë Fiskale, si një nga iniciativat më inkurajuese të propozuar nga komuniteti i biznesit, për të cilën qeveria shqiptare ka shprehur vullnetin e plotë për ta adresuar ashtu siç duhet, në interes të ekonomisë vendase, biznesit dhe qytetarëve shqiptarë.
Duke iu përgjigjur interesit të biznesmenëve në lidhje me krijimin e Gjykatës Administrative, Ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës i bëri thirrje opozitës që të votojë projektligjin përkatës, i cili veçse vjen në ndihmë të biznesit.
“Është ironike fakti që maxhoranca ka qenë “avokate’ për miratimin në Parlament të ligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative, e cila do të ishte “një lehtësim i madh” për biznesin në raport me qeverinë dhe instancat shtetërore, ndërkohë që opozita fatkeqësisht me refuzimin e saj në Parlament realizoi një “kapriço politike” duke mbyllur një “dritare bashkëpunimi” me biznesin me kosto jo të vogël politike dhe ekonomike. Uroj që opozita të reflektojë për rëndësinë vitale që ka kjo Gjykatë në zhvillimin e një ambienti akoma më të mirë biznesi në vend. Unë e ftoj opozitën që së bashku në Parlament ta votojmë këtë projektligj”, tha Ministri.
Ndër të tjera, Naço shprehu angazhimin që, së bashku me Dhomën e Tregtisë dhe biznesmenët e Tiranës, por jo vetëm, të hartohet një “axhendë e përbashkët biznesi”, ku marrëdhëniet qeveri-biznes të vlerësohen në frymën e partneritetit dhe jo të konfliktualitetit.
Ai tha se, vendimi i fundit i qeverisë në lidhje me “zerimin” e tarifës doganore për mallrat (lëndën e parë) nga vendet jashtë tregut të BE-së nga 12.5% në 0% është shenjë e fortë e vullnetit të kësaj qeverie për ta parë biznesin si partnerin më të besueshëm në zhvillimin e vendit.
Lidhur me interesin e sipërmarrësve për tregun e karburanteve në vendin tonë, ministri Naço tha se METE do të jetë në ndihmë të zgjidhjes për çdo problem në këtë aspekt, por kërkoi nga ana e bizneseve të fushës që të jenë korrekt më konsumatorin në drejtim të garantimit të cilësisë dhe standardit të karburantit që ato tregtojnë.
Në këtë takim, kreu i METE, shoqërohej nga Zv.Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Enno Bozdo.
Ndërsa si përfaqësues të biznesit ishin kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka dhe të tjerë anëtarë të Dhomës.
a.y/NOA