Shkup, 6 prill, NOA - Në rast se nuk arrihet formimi i koalicioneve dhe blloqeve parazgjedhore shqiptare , atëherë rrezikohet dhe do të zbehet edhe më tej roli i faktorit politik shqiptar në skenën e ardhshme politike në Maqedoni.
Ky shqetësim vjen nga Organizata Për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE), e cila ka realizuar një hulumtim me opinionet e qytetarëve, nëpërmjet formave të ndryshme të anketimit.
Në analizën e OBRIE theksohet se partitë shqiptare në këto zgjedhje ende nuk kanë arritur të tejkalojnë interesat e veta dhe të përkushtohen për formimin e koalicioneve, me qëllim të ruajtjes së votës shqiptare.
“Për herë të parë në garën zgjedhore pritet të hyjnë më tepër parti shqiptare, dhe kjo e dëmton dhe e përçan fuqinë e votës shqiptare. Rezultati i kësaj rrjedhe do të çoj në një situatë të defaktorizimit të mëtejmë të spektrit politik shqiptar në Maqedoni. Përçarjet e theksuara mbizotërojnë vetëm tek grupet partiake politike, derisa qytetarët shqiptar dakordohen për unitet dhe koalicione ndërpartiake”, theksohet në një pjesë të analizës së OBRIE, e përgatitur për institucione relevante ndërkombëtare.
Analiza më tej tërheq vërejtjen për zbehjen dhe zvogëlimin e trupit votues shqiptar, pikërisht për shkak të këtyre përçarjeve, por edhe mundësinë e uljes së vazhdueshme të përqindjes së trupit votues shqiptar, për shkak të pakënaqësisë me zhvillimet aktuale dhe defaktorizimin politik shqiptar.
“Në rast se nuk përtërihet një besim tek qytetari shqiptar, atëherë do ketë rënie të përqindjes së trupit votues”, thekson OBRIE.
Nga ana tjetër, partitë maqedonase janë të fokusuara në dy blloqe të mëdha VMRO-DPMNE me dhjetëra parti të koalicionit duke përfshirë edhe ato të pakicave turke, rome, serbe, etj, por edhe LSDM opozitare e përfshirë në një bllok me disa parti tjera opozitare, po ashtu me pjesëmarrje edhe të komuniteteve të vogla etnike.
NOA-INA