English

Qeveria shpërblen familjet e dëmtuara në Gërdec

Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, një vendim i rëndësishëm është marrë lidhur me dhënien e ndihmës financiare të familjeve të dëmtuara nga shpërthimi i ndodhur në fshatin Gërdec.

Sipas vendimit të qeverisë, akordohet një fond shtesë prej 6.5 milion lekë të reja, për dhënie ndihme financiare të familjeve të dëmtuara nga aksidenti i ndodhur në mesin e marsit të 2008-ës, në fshatin Gërdec, për pagesën e qirasë së banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore, që ndodhen përreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë.

Prej disa kohësh familjet e dëmtuara në Gërdec, kishin kërkuar nga qeveria dëmshpërblim, i cili mesa duket gjeti përgjigje.

Më poshtë vendimi i plotë i qeverisë, për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara në Gërdec:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2011, t`i akordohet fondi financiar shtesë prej 6 509 400 (gjashtë milionë e pesëqind e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore, që ndodhen brenda perimetrit 300 ml rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë.

Miratimin e listave të familjeve të bashkisë Vorë së bashku me shumën përkatëse të kompensimit të dëmeve, sipas lidhjeve 1, 2, 3, bashkëlidhur këtij vendimi.

Fondi i akorduar, prej 6 509 400 (gjashtë milionë e pesëqind e nëntë mijë e katërqind) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i qarkut Tiranë, si dhe bashkia Vorë, për zbatimin e këtij vendimi.

a.y/NOA

KOMENTE