Tiranë, 6 prill 2011, NOA- Qendra e Studimeve Parlamentare gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një tryezë lidhur me rezultatet e monitorimit të standardeve etike që duhet të respektojnë gjyqtarët në funksion të rritjes së besimit të publikut kundrejt gjyqësorit. Debati publik në ditët e sotme ka qenë i fokusuar në çështjet që lidhen me integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit.
Sipas QSP-së, shoqëria shqiptare ka nevojë për magjistratë me autoritet dhe integritet të paprekshëm e të pacenueshëm.
Qendra e Studimeve Parlamentare ndërmori disa aktivitete, një prej tyre ishte monitorimi i drejtpërdrejtë i Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Në shkeljet e konstatuara vihet re mosmbajtja e veshjes së detyrueshme për përfaqësuesit e drejtësisë, shkelja e orareve të seancave gjyqësore, ndërhyrja gjatë ushtrimit të detyrës, shkelja e normave të etikës në marrëdhëniet me pjesëmarrësit në proces, kolegët, kryetarin e gjykatës, stafin e administratës gjyqësore, ekspertët, prokurorët, avokatët.
Gjithashtu rezulton edhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive
Ndërkaq si problematik u evidentua fakti se më shumë se gjysma e seancave të monitoruara fillojnë jo në respektim të orarit të parashikuar.
Kështu, nga 149 seanca gjyqësore të monitoruara 50 seanca gjyqësore kanë filluar në orarin e parashikuar dhe 99 seanca të tjera kanë filluar me vonesë. Vonesat në fillimin e seancës gjyqësore varion nga 5 minuta në 60 minuta.
Të dhëna të nxjerra nga praktika shqiptare për fillimin dhe/apo ndryshimin e masës disiplinore të propozuar ndaj një gjyqtari me propozim të ministrit të Drejtësisë në mbledhjet e KLD-së në 2 vitet e fundit (2009-2010) dëshmojnë se:
-Në 4 raste është pushuar procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit/ve;
-Në 6 raste është ndryshuar masa disiplinore e propozuar ndaj gjyqtarit/ve;
-Në 4 raste është shtyrë shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit/ve; dhe
-Në 5 raste KLD vendos ndryshe nga kërkesa e ministrit.
a.y/NOA