Prishtinë, 6 prill, NOA - Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar edhe një herë kundër arrestimeve të fundit ish-ushtarëve të UÇK-së nga policia e EULEX-it dhe ka ftuar këtë mision që të ndalë tentimet dhe skenarët e ndyta për të njollosur me çdo kusht luftën e UÇK-së.
Në reagimin e OVL të UÇK-së thuhet se në tentim të njollosjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të zbatuar planet e Serbisë në Kosovë, zyrtarët e EULEX-it po zhvillojnë një fushatë shumë aktive duke u angazhuar në “gjahun e dëshmitarëve”, e rasti i fundit i arrestimit të kryetarit të komunës së Therandës, Blerim Kuçi, e dëshmon këtë më së miri.
Më tutje, theksohet fakti se në Kosovë, ka kohë që ndërkombëtarët kanë përdorur metoda të ndryshme të joshjes së “dëshmitarëve”, duke i kërcënuar, shantazhuar, arrestuar, por edhe duke iu ofruar atyre para ose jetë më të mirë në vende të ndryshme të botës.
“Kjo praktikë e dëshmon tendencën e tyre për barazimin e viktimës me agresorin me çdo kusht. Ne i bëjmë thirrje zyrtarëve të EULEX-it që të ndalin këto veprime sepse janë të padrejta, qëllimkëqija dhe të dëmshme për vet misionin që ka EULEX. Shprehim bindjen se qytetarët e Kosovës, në dijeni për luftën e pastër çlirimtare, nuk do të bien pre e këtyre skenarëve të ndyta”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Kryesia e OVL të UÇK-së.
Në këtë rast, Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe njëherë ia kanë kujtuar EULEX-it se nuk po i kryen punët për të cilat është ftuar në Kosovë, duke filluar nga vendosja e doganave në kufirin me Serbinë, funksionalizimin e gjykatave në Mitrovicë, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të shqiptarëve në territorin e Kosovës, mos arrestimin e as ngritjen e asnjë padie ndaj serbëve për krime të kryera ndaj popullatës civile, mosnxjerrja para drejtësisë të anëtarëve të vet misionit për kontrabandën e bërë në Kosovë e shumë të tjera.
OVL e UÇK-së thotë se me shqetësim është duke përcjell këto veprime të EULEX-it, e në ditët në vijim do të dalë me qëndrim rreth metodave që do t’i zbatojmë për realizimin e kërkesave të bëra me 29 mars në protestën gjithëpopullore në Prishtinë.
NOA