English

Vetëvendosje: Zgjedhje të brendshme, çdo vendim mbi parimin një anëtar, një votë

Prishtinë, 6 prill 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar ditën e sotme se si rrjedhojë e shtrirjes dhe zgjerimit të saj në 27 komuna të Kosovës, si edhe në diasporën shqiptare do të organizojë zgjedhje të brendshme.

“Si pasojë e këtij zhvillimi të hovshëm të Lëvizjes Vetëvendosje! si dhe për shkak të besimit tek vlerat e mobilizimit qytetar, Lëvizja Vetëvendosje! ka miratuar statutin e saj. Ky statut ka si synim parësor qytetarinë aktive dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Lëvizja Vetëvendosje! nis nga sot procesin e zgjedhjeve të brendshme”, thuhet në një deklaratë për mediat.

Më tej sqarohet se synimi i tyre është organizimi i përgjithshëm organizativ e shoqëror drejt realizimit të programit politik.

Shkak për këto zgjedhje sipas Vetëvendosjes është fakti se, beson tek demokracia e drejtpërdrejtë që buron nga vullneti i lirë i popullit, dhe e cila zbatohet përmes përfshirjes aktive të tij në marrjen e vendimeve në rrafshin politik dhe atë socio-ekonomik.

Ndër të tjera thuhet se krahas zgjedhjeve dhe vendimeve të tjera, edhe vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, për koalicionet parazgjedhore dhe qeveritare, si dhe për shumë çështje të tjera do të merret përmes demokracisë së drejtpërdrejtë bazuar mbi parimin një aktivist një votë.

a.y/NOA

KOMENTE