English

Wikipedia, burimi 1 i informacionit në internet

Berlin, 6 prill, DW - Për miliona vetë në botë Wikipedia është shndërruar në burimin numër një të informacionit. Para 10 vjetësh, kur Jimmy Wales themeloi Wikipedian askush nuk e kishte besuar këtë.

Edhe pse në Wikipedia mund të bashkëpunojë kushdo, shumica e autorëve janë meshkuj. Këtë e tregon një studim i Wikimedias – organizata që qëndron pas Wikipedias. Në përvjetorin e 10 të Wikipedias janë mbledhur në Berlin për të diskutuar për të ardhmen e saj wikipedianë nga 34 vende të botës.

Wikipedia ekziston në 273 gjuhë

Shumica e artikujve janë në anglisht. Ndër gjuhët më të mëdha të kësaj enciklopedia bëjnë pjesë edhe gjermanishtja, rusishtja, frëngjishtja dhe japonishtja. Në analizën e bërë për Wikipedian, u morën para sysh faqet në anglisht, që u krahasuan me ato në gjermanisht dhe frëngjisht. Qëllimi ishte të shihej se sa autorë bashkëpunojnë për enciklopedinë, si angazhohen ata dhe nëse vazhdojnë të jenë aktivë.

Rezultatet janë alarmuese. Shifrat tregojnë se numri i atyre që regjistrohen te Wikipedia dhe vazhdojnë të jenë aktivë në përpunimin e informacioneve është në rënie. Dhe se numri i autorëve meshkuj është shumë i lartë se ai i atyre femra. “Ne kemi rreth 800 autorë të regjistruar nga Kili… por vetëm një femër që është aktive. Vizioni i një Wikipedia femërore është i vështirë të vendoset,“- thotë Osmar Valdebenito, student inxhinierie dhe koordinator i Wikimedias për Kilin. Sipas tij dhe një sërë pjesëmarrësish të tjerë në konferencë kjo ka të bëjë me mënyrën e ndryshme të ndërveprimit që kanë meshkujt dhe femrat me internetin ose me atë që numri i meshkujve që përdorin programin Linux është më i madh se ai i grave.

Më tepër meshkuj se femra

Edhe një vështrim në sallën e konferencës bën të qartë se aty ka më tepër meshkuj se femra. Pavel Richter, drejtor ekzekutiv i Wikimedias për Gjermaninë thotë se ky është një problem afatshkurtër: "Wikipedia nuk ka përfunduar as pas 10 vjetësh. ka kaq shumë tema të patrajtuara ose të patrajtuara sa duhet. Ky është një shans i madh për të thithur këndvështrime të reja dhe njerëz me sfond të ndryshëm kulturor. Por natyrisht ne duam që ta mbajmë edhe bashkësinë ekzistuese… por të rinjtë nga vende të tjera, nga breza më të vjetër si dhe nga radhët e grave do të sjellin këndvështrime të reja.“

Punë për pensionistët

Tërheqja e brezit të vjetër për të ndarë përvojën në Wikipedia është një nga qëllimet për të cilën diksutohet në konferencë. Sipas Pavel Richter, në Gjermani ka një nismë e cila synon të thithë sa më tepër pensionistë që të bashkëpunojnë me Wikipedian. Për t'ia arritur kësaj bashkëpunëtorët e tjerë të Wikipedias u mësojnë atyre rregullat e shkruara dhe të pashkruara të internetit dhe mënyrën se si shkruhet për internet.

Një aspekt tjetër është shtimi i artikujve të Wikipedias jo vetëm në gjuhët evropiane por edhe në gjuhë të tjera, p.sh. në atë të Afrikës.

Oscar Limoke punon në një projekt për përhapjen e Wikipedias në Kenia. E veçanta për një vend si Kenia është që për shpjegimet e Wikipedias të përdoret një përzierje mediash, pra fotografi, audio dhe video, sepse atje ka shumë analfabetë.

Deutsche Welle

KOMENTE