Prishtinë, 7 prill, NOA - Zyrtarja e lartë e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga është nominuar si kandidate për presidente të Kosovës, deri në zgjedhjen e presidentit të vendit me vota direkte nga populli. Kjo u bë e ditur pas një marrëveshjeje të arritur në mes të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, kryeministrit Hashim Thaci dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, me ndërmjetësim të ambasadorit amerikan Christopher Dell.
Thaçi ka bërë të ditur se memorandumi i marrëveshjes të arritur ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AKR-së përfshin disa pika; “Ne udhëheqësit e AKR-së, LDK-së dhe PDK-së: 1.nominojmë Atifete Jahjaga si kandidate tonën për presidente të Republikës së Kosovës dhe shprehim përkrahjen e plotë të partive tona respektove për kandidaturën e saj. Jemi të përkushtuar ta vëmë interesin e vendit mbi atë tonin. 2. Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale që do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amendamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e themelimit të tij”, ka thënë Thaçi.
Sipas marrëveshjes një anëtar i Kuvendit, i identifikuar nga koalicioni qeverisës do të udhëheqë komisionin e themeluar për këtë qëllim, ndërkohë që zgjedhjet e para presidenciale me votën e drejtpërdrejt të popullit do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislativ hyjnë në fuqi.
Sipas pikës së tretë të marrëveshjes, PDK, AKR dhe LDK pajtohen që menjëherë të formojnë një komision për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili me dispozitat tjera do të përkrahë krijimin e më shumë distrikteve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim.
Sipas marrëveshjes Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vet brenda 8 deri në 12 muaj nga data e themelimit të tij, ndërsa komisioni do të udhëhiqet nga një anëtar i Kuvendit, i identifikuar nga partitë opozitare. Ndërkaq, pika katër parasheh shpreh pajtimin e partive nënshkruese të marrëveshjes që Ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme do të përfshijë një dispozitë, që do të thotë se zgjedhjet e para të përgjithshme sipas ligjit të amendamentuar do të mbahen jo më vonë se 18 muaj nga data në të cilën ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme dhe amendamentet e ndërlidhura kushtetuese hyjnë në fuqi.
PDK-AKR dhe LDK në pikën pesë pajtohen se si pjesë e kësaj marrëveshjeje do të paraqesin ndryshimet e përmendura në paragrafët 2, 3, 4 në mbledhjen e Kuvendit të Republikës ku do të zgjidhet presidenti i Kosovës. Jahjaga aktualisht e ushtron detyrën e zëvendësdrejtores së Policisë së Kosovës.