English

Basha: Brenda 6 muajve do hipotekohen pallatet e reja

Tiranë, 7 prill 2011, NOA - Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha gjatë takimit me banorët e njësisë bashkiake nr.7 premtoi se brenda 6 muajve të parë të mandatit të tij do të hipotekohen të gjitha pallatet e reja në Tiranë.

Ishin vetë banorët e njësisë bashkiake nr. 7, që i shprehën shqetësimet e tyre kandidatit të “Aleancës për qytetarin”, duke i bërë me dije se edhe pse i kanë paguar kursimet e jetës për të pasur një shtëpi, shumica e banorëve të Tiranës nuk kanë ende të hipotekuara apartamentet e reja.

Gjatë bashkëbisedimit banorët e kësaj njësie kandidati Basha iu përgjigj kështu interesit të një banoreje: “Ky problem do të gjejë zgjidhje brenda 6 muajve të mandatit tim”.

“Shtëpitë e pahipotekuara që do të thotë të paktën 700-800 milion euro kapital i ngrirë në këtë qytet, ju premtoj se unë brenda gjashtë mujorit të parë ky kapital do të shkrihet dhe banorët do të marrin hipotekimin e banesave”, premtoi kandidati Basha.

Basha është njohur edhe me problemin e tetë familjeve të strehuara në një godinë shtetërore, që rrezikojnë të mbeten në rrugë të madhe pasi aty është vendosur që në mënyre abuzive, sipas banorëve, të ndërtohet një pallat.

“Kemi 20 vjet këtu, i kemi paguar Bashkisë së Tiranës qeranë dhe ky objekt shtetëror si ndërtesë”, thanë banorët, duke kërkuar dorazi që të bëjnë mbi vete apartamentet në fjalë.

Kandidati Basha dëgjoi gjithashtu shqetësimet mbi infrastrukturën rrugore, mungesën e gjelbërimit, mungesën e këndeve të lojërave për fëmijë dhe nivelin e lartë i ndotjes.

“Kjo është një lagje që ka nevojë për rrugë, sistemim dhe kazanë plehrash. Shkolla është jashtë standardit, sepse është e mbipopulluar. Në këtë shkollë bëhet mësim me dy turne. Kjo pjesa këtu është betonizuar komplet, nuk ka asnjë ambjent për fëmijët, as për të moshuarit, nuk ka asnjë pemë. Pastrimi dhe gjelbërimi është për faqe të zezë”, thanë banorët e njësisë nr 7.

Ndërkohë një grup fëmijësh kërkuan nga Basha ndërtimin e një fushe lojërash, pasi ajo ku luanin përdorej më shumë për parkim. Edhe bizneset e vogla të zonës kërkuan uljen e taksave si të vetmen mundësi për të vijuar aktivitetin e tyre.

Kandidati Basha përsëriti se ai do të ulë taksat nga 2 deri në 5 herë. Banorët e njësisë bashkiake nr. 7 shprehën besimin se Lulzim Basha do ta shndërrojë në realitet programin e tij siç shndërroi në realitet ëndrrat e shqiptarëve për të lëvizur të lirë në Europë.

“Ti do fitosh se ke punuar”, i tha një e moshuar kandidatit Basha.

Me takimet në njësinë 7 në kryeqytet, Basha përfundoi mbrëmë turin e dëgjimit në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE