Tiranë, 7 prill 2011, NOA – Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka një plan për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe këtë do ta realizojë përmes ngritjes së një Këshilli të drejtuar nga kryebashkiaku dhe të përfaqësuar nga fëmijët me aftësi të kufizuara.
këtë plan kandidati Basha e bëri publik gjatë vizitës së sotme në shkollën për fëmijët me aftësi të kufizuara “Luigj Gurakuqi”.
Basha theksoi se përkujdesja dhe lehtësitë në infrastrukturë për fëmijët me aftësi të kufizuara zënë një vend të veçantë në programin e tij për kryetar të bashkisë së Tiranës.
Basha bëri me dije se do të rrisë fondet për financimin e projekteve në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara, ndërkohë që në Bashkinë e Tiranës do të funksionojë edhe Këshilli i veçantë për këta persona.
“Buxheti i kësaj shkolle që ka të bëjë me investimet dhe shpenzimet, do të jetë i rishikuar në favor të kësaj shkolle dhe aktivitetit të saj. Jo gjithçka do të varet vetëm nga dora e vullnetarëve që u jemi mirënjohës. Unë kam në plan ngritjen e një Këshilli, të kryesuar nga kryetari i Bashkisë, me pjesëmarrjen e të gjitha organizatave të personave me aftësi të kufizuar, sepse interesi i tyre shprehet më mirë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre dhe zëri do t’u dëgjohet në kryeqytet”, premtoi kandidati demokrat për postin e kryebashkiakut Lulzim Basha.
Mungesa e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës ndaj kësaj shtrese ka qenë një shqetësim i ngritur sistematikisht prej tyre, një shqetësim që Lulzim basha në rast se fiton në garën për bashkinë e Tiranës premtoi t’i japë zgjidhje.
mit/NOA