English

Grabitet me armë çifti i tregtarëve, RENEA blindon rrethinat e Tiranës

Tiranë, 7 prill NOA- Dy persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur një çift bashkëshortësh. Ngjarja ndodhi mbrëmë në Dajt të Tiranës kur dy personat ende të panjohur, nën kërcënimin e armës kanë urdhëruar bashkëshortët të ndalojnë automjetin. Mësohet se të dëmtuarit Ramazan dhe Edmonda Hoxha merreshin me tregti. Ata po ktheheshin në banesën e tyre në Priskë kur kanë rënë pre e grabitësve.

Burime nga policia thanë për agjencinë NOA se autorët kanë nxjerrë nga makina çiftin duke i lënë në mes të rrugës. Ata kanë marrë automjetin dhe janë larguar mes shpejtësi. Të dëmtuarit lajmëruan menjëherë policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Dhjetëra efektivë policie si dhe forcat e repartit të RENEA-s janë angazhuar për të bërë të mundur zbulimin dhe kapjen e grabitësve.

Forcat policore getën të braktisur në Farkë të Tiranës automjetin e grabitur ndërsa autorët kishin marrë me vete mallin që ndodhej në makinë.

Sipas dëshmisë së bashkëshortëve malli kapte vlerën e 15 milionë lekëve të vjetra. Policia dyshon se autorët kanë grabitur edhe një shumë të konsiderueshme parash. Ndërkohë që operacioni për kapjen e tyre po vazhdon nga forcat e policisë.

Burime nga policia thanë se bashkëshortët nuk janë dhunuar nga grabitësit pasi nuk kanë bërë rezistencë por u janë bindur urdhrave të tyre.

KOMENTE