English

Idetë letrare dhe letërsia romantike arbëreshe

Nga Ilir Sefaj*

Intencë e kësaj paraqitjeje është përpjekja për të dhënë në mënyrë sa më argumentuese, lidhshmërinë ndërmjet idesë së veprës letrare dhe veprës letrare si produkt i kësaj ideje, por pa anashkaluar edhe atë që është objekt i këtij punimi; ideja letrare dhe letërsia romantike arbëreshe, nocione këto të cilat në perceptimin tim dalin si tejet të ndërliksura.

Letërsia romantike arbëreshe është produkt i lëvizjeve të mëdha që ndodhën në botën shqiptare që nga periudha e Skënderbeut e tutje. Pra, shqiptarët si komb gjatë historisë u ballafaquan me presione të shumta nga pushtues të ndryshëm, dhe gjithsesi, ndjenja e hollë, patosi, fati i të përndjekurve shqiptarë nga trojet e tyre autoktone, doemos pasqyrohet katërçipërisht nga krijues të kësaj letërsie, në veçanti të asaj arbëreshe në kolonitë shqiptare në Itali, pa të cilën letërsia shqipe si e tërë do të konsiderohej tepër e zbehtë.

Letërsia e romantikëve tanë të mëdhenj si De Rada, Naimi, Serembe, Skiroi etj., pasqyron një botë të pasur, një idilë të kulluar, por para së gjithash ajo vë në pah edhe kultin e atdheut, pra kodin nacional i cili lidhet me të bëmat e mbrojtësit të identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, heroit nacional Gjegj Kastriotit-Skënderbeut.

Kodi heroik faktikisht bëhet esencë e veprës letrare në letërsinë që krijonte shpirti i krijuesit romantik.

Letërsia e romantikëve tanë shquhet për diskursin e saj të zgjedhur, gamën e gjerë tematike, shprehjen e pasur gjuhësore, dhe stilin tejet të kultivuar, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt në influencën që pati kjo letërsi te lexuesi i supozuar.

Romantizmi përveç si rrymë letrare, ai në radhë të parë, siç dihet ishte një lëvizje e madhe kulturore e cila synonte para së gjithash krijimin e identitetit kombëtar, dhe doemos se strumbullari i kësaj letërsie është përpjekja për krijimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në rastin tonë. Pra, letërsinë romantike dhe proromantike shqipe e zotëron ideologema e kombit. (S. Hamiti).

Pa mëdyshje bartës të kësaj ideje, me të drejtë do të konsiderohej në radhë të parë pena e krijuesve arbëreshë të cilët fatin e tyre e kishin të lidhur me fatin e Shqipërisë. Kjo pjese vitale e kombit, elita e saj, me shumë xhelozi ruajti idenë nacionale e cila u bë kult për romantikët tanë.

Ajo që më pas do të njihet si Rilindja Kombëtare Shqiptare do konsideruar si fryt i cili vjen si rezultat i ideve që kishte plasuar romantizmi kombëtar por edhe ai iluminist, që kultivuan qarqe të ndryshme intelektuale në Turqi, në SHBA, po në veçanti kolonitë shqiptare në Itali.

Me të drejtë mund të konkludojmë se letërsia e arbëreshëve tanë krijoi, ruajti dhe mbajti gjallë idenë kombëtare, ide kjo e cila rezultoi me formimin e shtetit shqiptar më 1912, pra pena e këtyre krijuesve u bë frymëzim për lëvizjet e mëdha nacionale që do të ndodhin në botën shqiptare, lëvizje këto të cilat ishin fryt i drejtpërdrejt i ndjenjës nacionale që ngjalli letërsia e romantikëve arbëreshë në radhë të parë.

Letërsia e romantikëve të mëdhenj

Letërsia e romantizmit shqiptar është sinonim i dy emrave të mëdhenj të shkrimit shqip; De Rada (1814-1903), babai i romantizmit shqiptar i cili krijoi në diasporën shqiptare në Itali, dhe Naim Frashëri (1846-1990), i cili krijoi në Stamboll, krijues i cili ka fituar epitetin e apostullit kombëtar dhe edukator i kombit.

Shekulli XIX është koha e lëvizjeve të mëdha nacionale në Ballkan, dhe deri në atë periudhë nuk do të mund të flasim për një traditë letrare e kulturore aq të konsoliduar në botën shqiptare ani pse bazat e letërsisë shqipe ishin vënë shekuj më parë qysh me veprat e Budit, Bogdanit e F. Bardhit, gjatë shekujve XVI-XVII.

Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri janë dy nga autorët më reprezentativë të letërsisë romantike, në radhë të parë të asaj letërsie e cila ishte e mbrujtur me koloritin e botës shqiptare, gjë që përcaktonte vetëdijen e lartë kombëtare të këtyre dy përfaqësuesve më tipik të letërsisë kombëtare arbëreshe. Pra, janë të dy këta autorë të cilët me veprat e tyre ngritën lart vetëdijen kombëtare pikërisht në shek. XIX, periudhë kjo e cila njihet si koha e formimit të shteteve kombëtare në Ballkan.

Idetë të cilat pasqyrohen në krijimtarinë letrare të De Radës kanë si synim final përligjjen e një tradite heroike me të cilën karakterizohej kombi shqiptar, ai me veprën “Skënderbeu i pafan” 1872-1874, ku dominon diskursi heroik, u përpoq të krijonte eposin për heroin nacional të shqiptarëve, Skënderbeun i cili ishte bërë edhe mit letrar.

Njëkohësisht kjo vepër konsiderohet si ndër më të rëndësishmet në krijimtarinë e De Radës ku shquhet patosi kombëtar, poemë kjo e cila jep tablo të plota të Shqipërisë në shek. XV, aty vihet në pah heroizmi i popullit, ëndrra për një jetë të lirë, pra me këtë vepër u tentua të krijohet eposi nacional për Skënderbeun.

Në veprën e këtij autori është pasqyruar idila e bukur e fshatit, është dhënë bota arbëreshe e mbrujtur me koloritin e dokeve e zakoneve të trashëguara nga vendlindja e të parëve të tyre. Në krijimtarinë letrare të arbëreshëve lexuesi “prek” mëmëdheun e shumë breznive të cilët edhe pas kaq vitesh të mërguara bëjnë jetën tipike të njeriut shqiptar.

Jeronim De Rada është ndër autorët e parë dhe të paktë të asaj periudhe i cili krijoi me mjeshtëri të rrallë vepra ku dominon fryma kombëtare. Andaj, këtë krijues do konsideruar si autorin e parë shqiptar që shkroi vepra letrare të frymës kombëtare, i cili njëkohësisht u bë frymëzim për krijues të tjerë pasardhës të De Radës.

Autor i dytë i madh pas De Radës i cili krijoi në rrethana tjera, mirëpo që dha kontribut të çmuar për krijimin e identitet kombëtar shqiptar, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, dhe elementeve të tjera me të cilat identifikomi ne si komb, pa mëdyshje është Naim Frashëri, apostulli i kombit.

Vepra letrare e Naim Frashërit përfshin një gamë të gjerë interesimesh; që nga përpjekja për të krijuar me penën e tij, dashurinë e paskajshme për gjuhën shqipe deri në adhurimtari, po ashtu ky krijues në njëfarë mënyrë me veprën e tij proklamoi idenë e kombit, pra dashurinë për atdheun të cilën do konsideruar si substanciale për qenien tonë. Vepra e Naimit, në esencën e saj proklamon njerëzoren, paqen, besimin, harmoninë, andaj jo rastësisht Naimi e fitoi epitetin e apostullit kombëtar, pra edukator i kombit.

Thelbi, substanca e veprës naimiane qëndron në besimin e ideve burimore të cilat shtresohen fuqishëm në dialektikën e ligjërimit të tij. Formulimi i mendimeve poetike për tërësinë e botës shqiptare i ka ushqyer simbolet naimiane të cilat e vënë në lëvizje harmoninë njerëzore dhe humanizmin. Prandaj, Naimi është edukator. (S. Bashota).

Vepra letrare e Naimi Frashërit në radhë të parë është himnizuese. Ky autor i ka thurur himn natyrës shqiptare, bukurive të atdheut, ka idealizuar botën shqiptare, duke e vizatuar atë më ngjyrat më të bukura, ka dhënë njeriun tipik shqiptar, heroizmin e këtij njeriu në përpjekjet e tij shekullore për krijimin e identitet kombëtar, ku në rend të parë vihen historitë dhe të bëmat e heroit tonë kombëtar, figurës më përfaqësuese të kombit, Skënderbeut. Shëmbëlltyrë kjo që pasqyrohet në poemën epike “Historia e Skënderbeut” 1898. Domosdoshmërisht, Naim Frashëri dhe Jeronim De Rada janë përfaqësuesit më tipik të letërsisë kombëtare arbëreshe, letërsi kjo e cila vuri themelet e asaj rryme letrare të quajtur romantizëm, që krijoi, kultin e atdheut, dhe në vetëdijen e njeriut tonë nguliti idenë kombëtare.

Ideja kombëtare

Letërsia romantike arbëreshe në thelbin e saj ishte kombëtare. Te secili autorë i romantizmit shqiptar, pa përjashtim, është evidente përpjekja për sendërtimin e idesë kombëtare, mesazhin që përçon ajo tek njeriu ynë. Shekulli XIX është përcjellë me ngjarje të mëdha në botën shqiptare, momentet historike do të pasqyrohen mjeshtërisht në letërsinë romantike arbëreshe e cila ishte promotor i çuarjes përpara të idealit kombëtar shqiptar. Romantizmi si formacion letrar, rreth vetes mblodhi autorë të cilët jo vetëm në krijimtarinë e tyre, po edhe në përditshmërinë e tyre ishin njerëz me ndjenjë të hollë, shpirt-idealistë, të cilët besonin në fuqinë dhe vullnetin e tyre, fuqi kjo e cila sigurisht do të ngrihej në stadin e saj më të lartë, falë krijimtarisë së përfaqësuesve të kësaj rryme letrare e cila njëmend u karakterizua me art, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Pra, kjo letërsi karakterizohet në radhë të parë me kultin e ndjenjës e që ishte ndryshe në krahasim me letërsinë pararendëse ku dominonte kulti i arsyes. Letërsia romantike arbëreshe, veçanti e së cilës ishte patriotizmi, projekton botën shqiptare duke i kushtuar rëndësi të veçantë problemeve shoqërore me të cilat ballafaqohej populli shqiptar në shekullin XIX, por pa harruar të kaluarën e tij heroike, e cila është edhe topika e letërsisë arbëreshe. Një patos tejet i ashpër i përshkon veprat e letërsisë romantike arbëreshe, ngase këta krijues kishin ndier direkt mbi kurrizin e tyre barrën e rëndë të ecejakeve, të syrgjynosjes nga atdheu i të parëve, barrë kjo e cila do të pasqyrohet edhe në krijimtarinë e tyre artistike; Duro, zemër, duro/ si duron mali me borë., do të intononte De Rada qysh më 1836 te poema e tij e famshme “Këngët e Milosaos”, vepër kjo e cila njëkohësisht shënon edhe fillimin e romantizmin arbëresh dhe atij shqiptar në përgjithësi.

Po ashtu poema “Skënderbeu i pafan” 1872-1874, është kryevepra e letërsisë kombëtare arbëreshe e cila falë vlerave të saj artistike e ideore që ngërthen në vete, ngjalli ndjenjën e atdhedashurisë dhe shtoi entuziazmin e arbëreshëve për t’i dhënë dritë atdheut të tyre.

Letërsia romantike arbëreshë është krijuar kryesisht si domosdo e rrethanave në të cilat ishte gjendur kombi shqiptar në atë periudhë mjaft delikate për qenien tonë, pra vepra letrare e romantikëve tanë veçse letrare e artistike ajo luante edhe rolin e ngjalljes së idesë kombëtare në masat e gjëra, ngase propaganda antishqiptare sikur e kishte fanitur këtë ndjenjë.

Ideja e çlirimit nga pushtuesi dhe nostalgjia për atdheun “matanë detit” ishte binomi mbi të cilin ishte krijuar letërsia romantike arbëreshe, por pa harruar edhe ndjenjën e hollë, dashurinë e çiltër mes dy të rinjve që ëndërron një jetë idealiste, përkundër rrethanave që herë-herë ishin mjaft të pafavorshme, për një ëndërr të tillë.

Gjithsesi, letërsia arbëreshe tipar kryesor të saj e kishte patriotizmin, pra heroizmin e njeriut tonë në luftën e pareshtur kundër armiqve në kohë e rrethanë të ndryshme, luftë kjo e cila ishte domosdo e ekzistencës sonë, ngase falë kësaj rezistence të pashoqe të patriotëve shqiptarë, populli ynë arriti t’i bëj ballë rrebesheve të kohës.

Arbëreshët e Italisë i kanë ruajtur të gjalla në kujtesën historike dhe kanë mbrojtur me xhelozi një sërë tregimesh poetike të kënduara (rapsodi) që kanë të bëjnë me personazhin historik, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Kjo bërthamë këngësh formon një cikël të vërtetë dedikuar Skënderbeut, edhe më i çmuar nëse mendojmë që në Shqipëri, turqit, pas pushtimit tentuan të spastrojnë edhe në kujtesë kryengritësin që guxoi t’i rezistojë urdhrave të sulltanit. (Italo C. Fortino)

Epoka e lavdishme e të bëmave të heroit nacional të shqiptarëve, Skënderbeut, do të pasqyrohet katërçipërisht në letërsinë romantike arbëreshe, ngase ata kishin krijuar mit për heroizmat e heroit të tyre, dhe e konsideronin si pikë reference mbi të cilën do të mund të ngjallnin idenë kombëtare, pikërisht në shek. XIX atëherë edhe kur konsiderohet si periudhë e krijimit të shteteve kombëtare në gadishullin Ballkanik.

Roli i letërsisë romantike arbëreshe në krijimin e identitetit kombëtar shqiptar, ruajtjen dhe zhvillimin e tij ishte i pakontestueshëm, dhe kjo letërsi u bë frymëzim për krijuesit e tjerë pasardhës të cilët mësues të tyre kishin pikërisht autorët e kësaj letërsie e cila fillon me babain e saj Jeronim De Radën, Naimin, Skiroin, Asdrenin etj.

Vepra letrare si produkt i idesë

Krijimtaria letrare dhe ajo artistike përgjithësisht është rezultat i përshtypjes, dhe përshtypje në një përkufizim tjetër do të thotë ide. Pra vepra letrare dhe jo vetëm ajo është produkt i idesë. Ide kryesore në krijimtarisë letrare dhe artistike përgjithësisht tek krijuesit arbëresh ishte lufta heroike e popullit shqiptar, rezistenca e këtij të fundit para katrahurave të shumta me të cilat u ballafaqua njeriu ynë ndër shekuj.

Letërsia romantike arbëreshe është një periudhë e gjerë letrare e cila u karakterizua me një laramani tematike, ku dominon tema e qëndresës, ku historia e popullit shqiptar faktikisht projektohet në formë letrare, si mundësi për të dhënë jehona të ndryshme shpirtërore.

Dashuria midis dy të rinjve është një tjetër temë e cila do të mund të konsiderohej si tejet e shtrirë në krijimtarinë artistike që doli nga pena e shkrimtarëve arbëreshë.

Përveç De Radës, ishte një autor tjetër i madh, Skiroi i cili krijoi një poemë idil të dashurisë (Mili e Hajdhia, me tri botime, më 1891, 1900 dhe 1907) ku derdhi tërë mjeshtërinë e tij prej krijuesi të talentuar duke na dhënë një vepër sentimentale, dashurinë mes dy të rinjve e cila përfundon tragjikisht me vdekjen tragjike të të dy të rinjve të dashuruar. Falë stilit të saj të gdhendur, shprehjes së pasur gjuhësore, kompozicionit, fjalorit poetik dhe metrikës së përsosur, poema “Mili e Hajdhia” e Zef Skiroit, në penën e kritikës letrare shqipe, konsiderohet si kryevepër e letërsisë romantike arbëreshe, dhe për ata që kanë rastisur ta kenë në duar këtë vepër ky konstatim nuk është edhe i rastësishëm.

Është tejet i gjatë i numri i autorëve arbëreshë të cilët me penën e tyre kontribuuan në krijimin e një letërsie të mbështetur mbi parime estetike para së gjithash, mirëpo pa harruar edhe rolin e pazëvendësueshëm që luan kjo e fundit në shoqëri, ata ishin të vetëdijshëm për influencën që ngërthen në vete arti i fjalës së shkruar, meqë siç do të thoshte Hegeli: “Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë".

Gjithsesi, letërsia romantike arbëreshe është produkt i një rrethane të caktuar historike e letrare në të cilën gjendej populli shqiptar, dhe falë gjetjes së duhur të intelektualëve që jetuan e krijuan në rrethana aspak të volitshme, larg vendlindjes, të syrgjynosur në dheun e huaj, arritën të mbajnë gjallë dhe të pa lëkundur idenë e lirisë e cila u përqafua nga të gjithash shtresat e shoqërisë shqiptare në shek. XIX e tëhu. Gjithmonë në këtë linjë, jam i prirë të konstatoj, se kjo letërsi ky art letrar dhe jo vetëm letrar, që ngriti lart heroizmin e popullit shqiptar, krijoi kultin e atdheut, shpalosi vlerat e vërteta intelektuale e shpirtërore të njeriut tonë, do të vazhdojë të çmohet e të trajtohet si i tillë në gjithë shekujt e letërsisë shqipe dhe jo vetëm shqipe.

Përfundim

Nga sa u pa në këtë reflektim mund të themi se ideja e veprës letrare dhe letërsia romantike arbëreshe në kontekstin tonë, janë dy nocione të ndërliksura, mirëpo këto të dyja nocione si të tilla mund të vështrohen edhe ndaras në kontekstin e përgjithshëm të krijimtarisë artistike. Letërsia romantike arbëreshe u krijua si domosdo e mbajtjes gjallë të idesë nacionale në radhë të parë, ngase breza të tërë kishin ruajtur të palëkundur ndjenjën kombëtare, edhe atëherë kur qenia jone ishte rrezikuar në maksimumin e saj.

Kjo ide u shndërruar në art për të jetuar si e tillë dhe për të bërë rrugëtimin e saj të sigurt në brezat e ardhshëm, dhe kjo ishte meritë e gjeniut tonë popullor në fillim, e atij individual më pastaj dhe domosdo e kohës dhe rrethanave shoqërore në të cilat gjendej populli shqiptar më vonë. Gjithsesi se rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim luajti letërsia romantike arbëreshe në radhë të parë; me veprat e autorëve të mëdhenj si: De Rada, Skiroi, Naimi, Serembe etj., etj., të cilët në panteonin e letrave shqipe sollën një krijimtari të pasur letrare e artistike, e cila vuri bazat e një letërsie të vonuar por të konsoliduar në kontekstin estetik të saj.

Domosdoshmërisht, idetë letrare dhe letërsia romantike arbëreshë është një përkufizim i cili kërkon hulumtime të pambarimta, ngase krijimtaria letrare dhe ajo artistike përgjithësisht e njohur me emrin romantizëm, kap një gamë të gjerë interesimesh dhe si e tillë gjithsesi se kërkon një përqasje shumëdimensionale, mirëpo këtu u tentua të japim disa refleksione për sa i përket lidhshmërisë se këtyre të dyja nocioneve, dhe nëse kjo aventurë sado pak ka kryer këtë mision, gjithsesi se do të ndjehemi të relaksuar.

* Shkrim i dërguar nga autori

KOMENTE