Prishtinë, 7 prill, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka reaguar mbi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare, duke cilësuar se në kuadrin e tij po diskriminohen qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
“KMDLNj ka vërejtur këtyre ditëve që gjatë procesit të regjistrimit nuk janë regjistruar qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe pasurit e paluajtshme që i kanë në Kosovë, me gjithë deklarimet e familjarëve të tyre.
KMDLNj me këtë rast kërkon nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit dhe Enti i Statistikave të Kosovës që të japin sqarime se si do të regjistrohen personat apo qytetarët e Kosovës që përkohësisht punojnë jashtë vendit dhe si do të regjistrohen pronat e tyre në Kosovë?”, citon deklarata e KDLNJ-së.
Duke shtuar se KMDLNJ ka parasysh faktin që një pjesë e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit nuk kanë qëndrim të përhershëm ne vendet ku jetojnë.
Po ashtu, një pjesë e madhe e tyre ndikojnë shumë në ekonomitë familjare në Kosovë. Pra, janë pjesëmarrës kryesorë në përcaktimin e kushteve socio-ekonomike të familjeve kosovare.
Sipas KMDLNj shqetësimet e qytetarëve janë legjitime dhe se në këtë rast diaspora po diskriminohet duke mos u trajtuar si qytetarët e Kosovës.
“KMDLNj është shumë e brengosur për mosrealizimin e regjistrimit në pjesën veriore të Kosovës e cila administrohet nga Serbia dhe dhënia e mandatit për UNOPS-in për këtë pjesë të Kosovës është mohim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
KMDLNj do t’i konsiderojë si jo të vlefshme rezultatet e regjistrimit nëse ky regjistrim nuk shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe nëse në këtë regjistrim nuk përfshihen të gjithë qytetarët që përkohësisht jetojnë jashtë Kosovës”, përfundon deklarata në fjalë.
n.e/NOA