Korçë, 7 prill 2011, NOA – Pas konfliktit të pronësisë që pasoi plagosjen e 44-vjeçarit me iniciale A.Xh. në qytetin e Korçës policia e qytetit ka vënë në pranga autorin e ngjarjes Lorenc Llakmani, i cili ishte fshehur në një banesë 200 metra larg vendit të ngjarjes. Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se i arrestuari Lorenc Llakmani 44 vjeç plagosi mëngjesin e sotëm me një minipistoletë 44-vjeçarin nga Pogradeci me iniciale A.Xh, duke i shkaktuar plagë në shpatullën e djathtë.
I plagosuri ndodhet në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve ngjarja ndodhi për shkak se mes dy personave kishte një konflikt pronësie, ku Lorenc Llakmani pretendonte për ngritjen e një pallati nga ana e të dëmtuarit në tokën e tij.
I dëmtuari me inicialet A.Xh. shkoi në banesën e Lorenc Llakmanit mëngjesin e sotëm për të sqaruar konfliktin e në grindje e sipër Llakmani e qëllon me armë zjarri që e mbante në banesë dhe është larguar nga shtëpia për t’iu fshehur policisë.
Me mbërritjen e policisë mësohet se pas një operacioni të mirëorganizuar uniformat blu të Korçës lokalizuan Lorenc Llakmanin duke e arrestuar atë.
Llakmanit iu sekuestrua sakaq edhe pistoleta e kalibrit 9 mm.
44-vjeçari Llakmani është tashmë nën akuzë për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
mit/NOA