Prishtinë, 7 prill, NOA – Kosova duket se i ka dhënë fund krizës politike të saj me tërheqjen e Bexhet Pacollit nga kandidatura për postin e presidentit dhe gjetjes së emrit të Atifete Jahjagas, si atë të kandidates së re për presidente të Kosovës.
Ky ka qenë thelbi i marrëveshjes së arritur dje në orët e vona të darkës, mes Hashim Thaçit, kryetar i PDK-së; Isa Mustafës, kryetar i LDK-së dhe Bexhet Pacollit, ish-president.
Zgjidhja ka mbërritur edhe në prani të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, i cili ka ndërhyrë mes palëve në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.
Tashmë në Kosovë, po fryn një erë e re zhvillimesh politike, e cila lë pas aludimet dhe frikën për mbajtjen e një palë zgjedhjeve të tilla, të cilat do ta dëmtonin imazhin e saj si shtet i ri dhe i formuar në arenën ndërkombëtare.
n.e/NOA