English

OSBE: Më shumë mbështetje për njerëzit me aftësi të kufizuara

Tiranë, 7 prill 2011 – Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe ambasadorja e Anglisë, Fiona McIlwham kanë bërë apel sot për më shumë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara.

Promovimi i të drejtave të personave të këtyre personave, nëpërmjet fuqizimit të kapaciteteve të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara (KKPAK) dhe organizatave përkatëse të shoqërisë civile, ishte në fokus të një tryeze të rrumbullakët të organizuar sot në Tiranë nga Prezenca e OSBE-së dhe Këshilli Britanik në Shqipëri.

Diskutimet, e mbajtura mes anëtarëve të KKPAK-ut, përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore dhe komunitetit ndërkombëtar, u hapën nga Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth dhe Ambasadorja britanike në Shqipëri, Fiona McIlwham.

“Në Shqipëri jetojnë rreth 130 000 persona me aftësi të kufizuara dhe ata përbëjnë një nga kategoritë më të lëna pas dore,” theksoi Ambasadori Wollfarth, në fjalën e mbajtur përpara pjesëmarrësve në veprimtari.

“Ka ardhur koha për të fuqizuar përpjekjet për riaktivizimin e Këshillit Kombëtar, duke e ndihmuar atë në zbatimin e ligjit dhe duke vendosur një model bashkëpunimi mes shtetit dhe shoqërisë civile, i cili i promovon në mënyrë efikase të drejtat dhe liritë themelore të personave me aftësi të kufizuara, duke i kushtuar vëmendje të veçantë integrimit të tyre në jetën publike,” shtoi ai.

Ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, tha: “Përveç ndërgjegjësimit në rritje dhe sfidimit të paragjykimeve, njerëzit, posaçërisht personat me aftësi të kufizuara, kanë nevojë të ndjejnë ardhjen e ndryshimeve. Shqipëria tashmë duhet të hedhë hapa të sigurta drejt fuqizimit të legjislacionit, të cilat, në fund, do të përmirësojnë jetën e mijërave personave me aftësi të kufizuara”.

Ajo shtoi: “Krijimi i një shoqërie të bazuar në barazinë e vërtetë për të gjithë është një udhëtim i gjatë e aspak i lehtë. Një udhëtim, të cilin në Mbretërinë e Bashkuar jemi ende duke e vazhduar. Ja pse verën e ardhshme, kur Londra të presë Lojërat Olimpike 2012, ka premtuar që t’i bëjë ato lojërat më gjithëpërfshirëse në historinë e Olimpiadave”.

Pjesëmarrësit diskutuan rreth një projekt-strategjie në lidhje me veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të hartuar nga një ekspert ndërkombëtar i financuar nga Prezenca dhe nga Këshilli Britanik në Shqipëri. U diskutuan, gjithashtu, çështje të lidhura me përshtatshmërinë, sfidat në punësim dhe marrëdhënien e personave me aftësi të kufizuara me median.

Gjatë vitit të kaluar, duke vepruar në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Shqipëri, Ambasadën Britanike në Tiranë, Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si dhe organizatat e shoqërisë civile, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i siguroi KKPAK-ut ndihmë për hartim politikash, mundësoi shkëmbimin e përvojave mes Këshillit dhe strukturave simotra në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kontribuoi për rritjen e efikasitetit dhe ngritjen e profilit të tij publik.

Veprimtaria e sotme u zhvillua në kuadrin e javës “Promovojmë Gjithëpërfshirjen”, e cila mbahet në pesë qytete të vendit, nën koordinimin e Këshillit Britanik.

NOA

KOMENTE