English

Politika të reja për njerëzit me aftësi të kufizuara

“Roli i shoqërisë civile është thelbësor në zhvillimin e një shoqërie moderne dhe në promovimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe, në veçanti, pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe politike. Unë besoj se ne kemi mundësi të ndihmojmë në rritjen e profilit të Këshillit Kombëtar, të nxisim marrëdhënie të reja pune të efektshme, të trajtojmë çështjet e përfaqësimit dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri”....

Nga Eugen Wollfarth

Kryeministër Berisha, Ambasadore McIlwham, Ministër Ksera, Komisionere Baraku, Anëtarë të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj, mirëmëngjesi!

Është kënaqësi e madhe për mua t'ju uroj mirëseardhjen në këtë tryezë të rrumbullakët kombëtare për forcimin e kapaciteteve institucionale të Këshillit Kombëtar shqiptar të Personave me Aftësi të Kufizuara organizuar në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Shqipëri.

Do të doja t'u uroja në mënyrë të veçantë mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve që përfaqësojnë organizatat për të drejtat e aftësisë së kufizuar, si dhe aktivistëve të të drejtave të aftësisë së kufizuar në vend.

Kjo veprimtari organizohet në kuadrin e projektit të Prezencës së OSBE-së për forcimin e kapacitetit të Këshillit Kombëtar gjatë Javës së Gjithëpërfshirjes – një fushatë ndërgjegjësuese organizuar nga Këshilli Britanik në Shqipëri, Fondacioni Vodafone Albania dhe Help for Life.

Që prej vitit 2003, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, lëvizja shqiptare e aftësisë së kufizuar ka lobuar për krijimin e një Strategjie Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, e cila u miratua më në fund në vitin 2005.

Strategjia kërkoi krijimin e Këshillit Kombëtar shqiptar për Personat me Aftësi të Kufizuara – një organ mes të cilit shoqëria civile mund të ngrejë shqetësimet e saj dhe të hyjë në dialog politikash me qeverinë dhe me aktorë të tjerë shtetërorë.

Më specifikisht, Këshilli Kombëtar ka rolin e mbikëqyrjes, monitorimit dhe vënies së qeverisë publikisht para përgjegjësisë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare.

Konkretisht, anëtarët përfshijnë shtatë ministra dhe pesë përfaqësues të shoqërisë civile.

Takimi i parë i Këshillit Kombëtar u zhvillua në qershor 2007. Qeveria në atë kohë deklaroi publikisht angazhimin e saj për rritjen e profilit dhe zërit të personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje.

Tashmë është koha ta forcojmë më shumë Këshillin Kombëtar në përpjekjet e tij për zbatimin e legjislacionit përkatës dhe për krijimin e një modeli bashkëpunimi midis shtetit dhe shoqërisë civile për integrimin e personave me aftësi të kufizuara në jetën publike.

Vitin e kaluar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Këshilli Britanik në Shqipëri zbatuan së bashku projektin me titull forcimi i kapaciteteve institucionale të Këshillit Kombëtar shqiptar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Ky projekt e ka mbështetur Këshillin Kombëtar në hartimin e kuadrit të tij të zhvillimit strategjik, në mbledhjen dhe zhvillimin e praktikave më të mira, si dhe në lobim dhe avokaci për mbrojtjen dhe promovimin e personave me aftësi të kufizuara.

Ky dokument vizioni u nda me aktorë të ndryshëm të interesuar duke u fokusuar tek orientimi strategjik i një funksionimi të efektshëm të Këshillit Kombëtar, duke përfshirë edhe një plan veprimi.

Sot po ndahet me ju versioni final i këtij dokumenti. Janë bërë disa rekomandime nga konsulenti, të cilat janë miratuar përmes një procesi konsultimi të gjerë dhe me pjesëmarrje të plotë.

Këshillit Kombëtar i paraqitet një mundësi e qartë për të luajtur një rol të plotë dhe aktiv për një mënyrë strategjike të menduari, për të zhvilluar politika dhe për t'u ofruar shërbime personave me aftësi të kufizuara.

Duke u bërë edhe një herë zot i mandatit të tij fillestar dhe duke forcuar kapacitetet e tij në përputhje me këtë Dokument Vizioni, Këshilli Kombëtar jo vetëm që mund të drejtojë politikat në këtë fushë, por ai edhe mund të orientojë të gjitha nivelet e qeverisë.

Me një rol më të fortë dhe me më shumë kapacitete, Këshilli ka mundësinë unike të modelimit të bashkëpunimit të ardhshëm mes qeverisë dhe shoqërisë civile.

Roli i shoqërisë civile është thelbësor në zhvillimin e një shoqërie moderne dhe në promovimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe, në veçanti, pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe politike.

Unë besoj se ne kemi mundësi të ndihmojmë në rritjen e profilit të Këshillit Kombëtar, të nxisim marrëdhënie të reja pune të efektshme, të trajtojmë çështjet e përfaqësimit dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Kryeministër Berisha, Ambasadore McIlwham, Ministër Ksera, Komisionere Baraku, Anëtarë të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, të nderuar miq, zonja dhe zotërinj, ju uroj një aktivitet shumë të suksesshëm!

*Fjala e ambasadorit Eugen Wollfarth në tryezën e rrumbullakët kombëtare për “Forcimin e kapaciteteve institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Personave me Aftësi të Kufizuara”.

NOA

KOMENTE