English

Rama luan shah me banorët dhe tregon barcaleta (VIDEO)

Tiranë, 7 prill 2011 NOA / Ervin Tirana - Edi Rama ka qenë sërish derë më derë në njësinë numër 9 në Tiranë ku duke qëndruar e folur me disa banorë nuk i ka kursyer batutat për kryeministrin dhe rivalin për bashkinë e Tiranës. Ai ka gjetur kohë të luajë dhe shah me disa banorë e po ashtu me të tjerë, të tregojnë barcaleta.

***

Të shumta kanë qenë falënderimet që kryeqytetasit i bëjnë kryebashkiakut të tyre në këtë njësi. Një gjyshe do ta falënderonte kështu Edi Ramën: “Faleminderit për rrugët që na i ke shtruar, faleminderit për ndriçimin e rrugëve në lagje.”

[media id=299 width=600 height=400]

Por jo e gjithë panorama ka qenë entuziaste, në takimet e shumta Rama sërish ka hasur në ankesa qytetarësh, për çmimet e larta, pensione e paga të ulëta, për një fuqi blerëse në rënie. I tillë ka qenë dhe rrëfimi i një gruaje në këtë lagje të Tiranës: “Më keq sa s’ka më keq më. Pensioni i vogël, si përballojmë dot çmimet”

I vendosur në vazhdimin e ndërtimit të projektit të Tiranës europiane Rama theksoi: “Në 8 maj jepni votën që të vazhdojmë të bëjmë rrugë, që të vazhdojmë të vëmë drita, që të vazhdojmë të mbjellim pemë. T’i largojmë këta që të hapim luftën me papunësinë. Të hapim luftën me varfërinë. Të hapim luftën me kusarinë. Këto duhen larguar.”

Është ndalur sërish Edi Rama në takime me tregtarë të njësive tregtare në këtë lagje. Një prej tregtarëve i thotë kreut të bashkisë: “Varfëri e madhe, s’ka lekë!” Përgjigja e kreut të opozitës ishte: “S’ka lekë?! Lekët janë tek blloku. Duhet ta dorëzojnë bllokun këta në 8 maj, se ndryshe i bën lekët rrush e flamuj këta.”

Në bisedë me një emigrant të kthyer nga Greqia për të votuar për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste kreu i socialistëve u shpreh: “Të falënderoj që ke ardhur nga Greqia! Të vijnë sa më shumë nga Greqia dhe Italia të votojnë këtu, se këtu është Shqipëria. Shqipëria është e vetmja rrugë që keni edhe ju. Këtu është ardhmja. Këtu duhet të investoni kursimet. Këtu duhet të ndërtojmë jetën që keni kërkuar në emigrim”

Kërkesa e Ramës për këta banorë ishte: “Duhet të votoni PS që këshillin bashkiak të mos e kontrollojë më Saliu dhe të mos e bllokojë më Iliri për interesat e depozitës dhe të pozitës”.

Ashtu si edhe në takime të tjera edhe këto biseda spontane në rrugë, njësi tregtare e apo bare e lokale të ndryshme Rama nuk ka harruar të bëjë batuta duke nënvizuar me humor fenomene të keqqeverisjes apo të vjedhjes së votës: “Saliu, Bushi dhe Berluskoni në avion. Thotë piloti mbaroi karburanti, por një parashutë kam, si t’ja bëjmë. Ta hedhim në votë, i thotë Saliu. Mirë i thonë dy të tjerët. Votohet dhe fiton Saliu. Merr parashutën, ika unë thotë, dhe hidhet. I thotë Bushi Berluskonit, ore si fitoi ky?! Berluskoni i thotë, mirë që fitoi po ku i gjeti 40 vota, ne 3 veta jemi.

Kurse pasi përfundoi barcaletën, lëshoi "kërcënimin": "Në 8 maj do ta hedhim nga avioni pa parashutë po e preku votën.

KOMENTE