Tiranë, 7 prill 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamri Topi, Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli nëpërmjet mesazheve publike kanë uruar Presidenten e re të Kosovës Atifete Jahjaga.
Në mesazhin e tij kreu i shtetit e cilëson zgjedhjen e saj, si një moment historik për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar që në krye të shtetit zgjidhet një grua me integritet të lartë profesional dhe tepër të respektuar.
Ai ka uruar më tej edhe në emër të qytetarëve duke shprehur dëshirën për sukses të plotë në detyrën e saj.
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto i ka uruar punë të mbarë presidentes së re të Kosovës, Atifete Jahjaga
“Dua të vlerësoj, gjithashtu, maturinë dhe përgjegjësinë e treguar nga forcat politike të Kosovës, që çoi në arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentes në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Unë, gjithashtu, dua të vlerësoj dhe punën e zotit Behxhet Pacolli si dhe përgjegjshmërinë e tij politike gjatë këtyre proceseve të rëndësishme”, është shprehu Haxhinasto në mesazhin e tij.
Ndërkohë kryeparlamentarja Topalli është shprehur se zgjedhja e Atifete Jahjagës si presidente dëshmon që Kosova në shenjë të lartë emancipimi pasi ka sot një presidente grua.
Në mesazhin e saj thuhet: “Në emrin tim dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të mira për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës, dhe si e para grua në këtë post të lartë dhe të nderuar. Unë gjej rastin të përgëzoj liderët politikë të Kosovës që treguan pjekuri dhe emancipim për të vënë interesat e vendit mbi çdo gjë dhe përballuan me sukses këtë sfidë në të mirë të popullit të Kosovës, për të vazhduar reformat dhe perspektivën evropiane te vendit tuaj”.
a.y/NOA