English

Uollfarth: Komuniteti rom, të votojë në 8 maj

Tiranë, 7 prill 2011, NOA- Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri Eugen Uollfarth u ka bërë thirrje komunitetit rom, që të marrin pjesë në votimet e 8 majit.

Në fjalën e mbajtur në ditën ndërkombëtare të këtij komuniteti, ai u bëri sot thirrje të gjithë pjesëtarëve të romëve, që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet për organet e qeverisë vendore të planifikuara për t’u mbajtur më 8 maj.

“Zgjedhjet për organet e qeverisë vendore më 8 maj janë një mundësi ideale që komuniteti rom të përfaqësohet në nivelin e qeverisë vendore. Për ta arritur këtë, pjesëmarrja e plotë dhe e gjerë në procesin zgjedhor është e domosdoshme, pasi vota dhe zëri i tyre kanë vlerë”, u shpreh Uollfarth.

Më tej ai shprehu besimin se autoritetet e vendit do t’i vijnë në ndihmë komunitetit rom në ushtrimin e së drejtës së tij për të votuar.

Sakaq ai shtoi: “Ne përkrahim plotësisht zhvillimin e politikave publike dhe zbatimin e strategjive kombëtare për romët dhe me romët, sikurse përcaktohet dhe në Planin e Veprimit të OSBE-së për Përmirësimin e Situatës së Komuniteteve Rome dhe Sinti në Zonën e OSBE-së. Është e rëndësishme që të çrrënjoset diskriminimi ndaj romëve dhe të sigurohen mundësi të barabarta, në përputhje me angazhimet e OSBE-së”.

Në përfundim ambasadori Uollfarth shtoi se, prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të përkrahur përpjekjet si të institucioneve shtetërore ashtu dhe të organizatave për romët drejt integrimit të tyre të mëtejshëm në shoqëri duke e konsideruar këtë si pjesë të procesit më të gjerë të integrimit evropian.

a.y/NOA

KOMENTE