Tiranë, 7 prill 2011, NOA - Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth hodhi poshtë pretendimet mbi presione ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve të 8 majit duke deklaruar se misioni i ODIHR-it në Shqipëri po vëzhgon dhe do të vazhdojë të vëzhgojë përgatitjet dhe procedurat e zgjedhjeve pa kurrfarë presioni. Duke komentuar një artikull të shtypit të shkruar ku thuhej se dy diplomatë të huaj po bëjnë presion ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve në përpilimin e raporteve të tyre mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri, Wollfarth sqaroi se ndaj vëzhguesve nuk po ushtrohet asnjë presion.
“Unë kam një mesazh të qartë nga kryetari i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të ODIHR-it se ndaj tyre nuk po ushtrohet asnjë lloj presioni. Ata do të vëzhgojnë, do të përshkruajnë atë që vëzhgojnë dhe, në kohën e duhur, do të nxjerrin një raport”, bëri me dije ambasadori i OSBE-së.
Zoti Wollfarth theksoi se “E rëndësishme është që ky raport do të jetë i vërtetë dhe do të ndihmojë në mbajtjen e zgjedhjeve të mira, si dhe do të shërbejë si bazë gjithmonë e më e mirë për zgjedhje edhe më të mira në të ardhmen”.
mit/NOA