"Publikut të shohë se sa e madhe do të jetë pjesëmarrja e votueseve grave. Do të jetë, gjithashtu, me shumë interes jo vetëm për ODIHR-in që të vëzhgojë se sa do të jenë në gjendje gratë të votojnë individualisht"...
Nga Eugen Wollfarth*
Në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, më lejoni pikësëpari t'ju them se sa i nderuar dhe i gëzuar ndihem që jam këtu sot në këtë ceremoni të rëndësishme.
Urimi im i parë i mirëseardhjes i shkon Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Prof. Dr. Bamir Topi, i cili e pranoi me bujari ftesën tonë. Ai na nderon të gjithëve duke marrë pjesë në këtë ceremoni të dytë në kuadrin e projektit Gratë në Qeverisje. Ju faleminderit, z. President, edhe që pranuat të dorëzoni diplomat gjatë kësaj ceremonie.
Dhe tani do të doja t'u uroja mirëseardhjen dy përfaqësuesve të dy vendeve anëtare të OSBE-së, që kontribuan me bujari në këtë projekt: Kreut të Agjencisë Suedeze Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Zëvendës Kreut të Ambasadës së Suedisë, znj. Britta Olofsson dhe përfaqësuesit të Ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, z. Hans Teunissen.
Pa kontributin e kombinuar të Suedisë dhe Vendeve të Ulëta, si në përmbajtje ashtu edhe në kontribut financiar, ky projekt nuk do të mund të realizohej në këtë formë të mrekullueshme.
Falënderoj, gjithashtu, edhe gjithë anëtarët e Bordit Këshillimor të Projektit për mbështetjen që kanë dhënë.
Në fund, por aspak të fundit për nga rëndësia, u uroj me përzemërsi mirëseardhjen pjesëmarrëseve të projektit, grave nga gjithë Shqipëria, të cilat janë angazhuar për t'u përfshirë aktivisht në jetën publike.
Qysh në momentin kur ka lindur si organizatë, OSBE-ja, në kuptimin e vërtetë të fjalës, e ka parë promovimin e barazisë gjinore si një përparësi të dorës së parë; duke filluar me miratimin e Aktit Final të Helsinkit, ku shtetet pjesëmarrëse u angazhuan të respektonin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi me bazë gjininë.
Në këtë përpjekje, OSBE-ja ka qenë partnere me aktorë të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë, shumica e të cilëve janë të përfaqësuar këtu në këtë ceremoni.
Agjenci të tjera janë duke zhvilluar programe me objektiva të ngjashme dhe ne e vlerësojmë dhe përgëzojmë bashkërendimin e vazhdueshëm të përpjekjeve tona të përbashkëta.
Kjo veprimtari zhvillohet për të nderuar pjesëmarrëse e Projektit të OSBE-së për "Rritjen e Pjesëmarrjes së Grave në Proceset Zgjedhore duke pasur parasysh Zgjedhjet Vendore të Vitit 2011" – gra kandidate nga parti të ndryshme politike dhe nga shoqëria civile në gjithë vendin që dëshirojnë të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.
Z. President, zonja dhe zotërinj, siç e pamë, aktiviteti i sotëm përbën një tjetër gur themeli në përpjekjet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në ndihmesën e tyre për gratë shqiptare në promovimin e një barazie më të madhe gjinore.
Përmirësimi i boshllëkut aktual të barazisë gjinore në të gjitha strukturat e qeverisjes mbetet një sfidë. Gjithë partnerët vendas e ndërkombëtar kanë një përgjegjësi thelbësore për të ndihmuar.
Zgjedhjet për qeverinë vendore të 8 majit do t'i japin mundësi publikut të shohë se sa e madhe do të jetë pjesëmarrja e votueseve grave. Do të jetë, gjithashtu, me shumë interes jo vetëm për ODIHR-in që të vëzhgojë se sa do të jenë në gjendje gratë të votojnë individualisht dhe në fshehtësi, duke eliminuar kështu praktikën e hershme dhe të qortueshme të votimit familjar.
Shpresojmë se do mund të vëmë re progres në këtë fushë. Megjithatë, nevojitet ende punë në të ardhmen. Kështu që më duhet të konfirmoj edhe një herë se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e gatshme dhe e përgatitur për të ndihmuar.