English

Bëhuni të gjithë gati ... Fushata ngriti siparin!

Tiranë, 8 Prill, NOA/ Nga Eglantina NASI– Bëhuni të gjithë gati. Për fjalime politikanësh, shtrëngime duarsh me ta dhe valëvitje flamujsh. Por edhe një mbidozë euforie, e cila këtë herë nuk përkon vetëm me atë që ngjiz natyrshëm ardhja e pranverës. E kemi fjalën për atë entuziazëm dhe “ethe” kolektive që na pushton në çdo afrim zgjedhjesh. Të ndodh edhe nëse vetëpërjashtohesh nga turmat që brohorasin, të rrok edhe nëse vizualisht kërkon që ato t’i fshish nga hard-disku i mendjes.

Fushatat elektorale në njëfarë mënyre, u përkasin të gjithëve. Qofsh kandidat, militant, flamur-mbajtës apo kapele-mbajtës, teknik impianti apo grafist parullash, kafexhi interesaxhi i pikave elektorale apo ndarës lekësh.

Madje qofsh edhe indiferent. Si kalimtar rastësor, nuk mund të mos “dhunohesh” nga mitingu që shfaqet papritur në rrugën tënde, nga turma që brohoret dhe ty të bën të nënqeshësh, me përçmim apo edhe me bezdi. Apo kur je rehatuar në kolltukun e mbrëmjes në shtëpi dhe xhiroja e pultit televiziv të shfaq fytyra që nuk i honeps dot apo që çirren nga njëri stacion në tjetrin.

E gjithë kjo, sepse fushata ngriti siparin. Dhe ti kthehesh në një spektator të saj, qoftë edhe duke i detyruar sytë të mbyllen për të mos e parë. Shfaqja ka nisur dhe ti nuk mund të mos i dëgjosh tingujt e saj, dialogjet e para mes aktorëve, aktin e parë të dramës, të tyrin e kështu me radhë, për të pritur Finalen e madhe ...

Bëhuni të gjithë gati! Sot hapet zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Një muaj ethesh kolektive, deri në momentin e madh kur do të kemi kryetarët e rinj të bashkive dhe komunave, domethënë dhe disa nga të vjetrit, ata që kishim deri tani. Në fakt, nëse do të jenë apo jo, kjo varet nga ne.

Nga unë, nga ti. Nga kandidati, militanti, flamur-mbajtësi apo kapele-mbajtësi, tekniku i impiantit apo grafisti i parullave, kafexhiu interesaxhi i pikave elektorale apo ndarësi i lekëve.

Madje qofsh edhe indiferent. Si kalimtar rastësor, nuk mund të mos të të shkojë të paktën nëpër mendje mëngjesin e 8 Majit, se është ditë zgjedhjesh. Edhe nëse këmbët s’të bëjnë të shkosh te qendra e votimit ...

Bëhuni të gjithë gati. Për të nesërmen e 8 Majit. Për të ardhmen pas 8 Majit. Madje qofsh edhe indiferent ...

n.e/NOA

KOMENTE