English

Berisha: Reforma në shëndetësi, realizohet me një menaxhim të mirë

Tiranë, 8 prill, NOA Update – Sistemi i shëndetësisë nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse nuk ka një menaxhim të përsosur, prandaj duhet bërë shumë në këtë drejtim.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha në një tryezë të posaçme për shëndetësinë, duke vënë theksin në problematikat aktuale të këtij sektori në vendin tonë.

“Aftësitë dhe kapacitetet menaxheriale janë kusht për suksesin e reformës në shëndetësi. Kjo e fundit, është më e rëndësishmja dhe më e vështira nga të gjitha reformat. Po t’i listosh, reforma në shëndetësi është më kompleksja, sepse mbi çështjen e shëndetit nuk ka gjë tjetër”, deklaroi ai.

Më tej, Berisha përmendi si sukses të shëndetësisë shqiptare, rritjen e moshës mesatare të popullsisë, por edhe uljen e vdekshmërisë foshnjore.

“Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri, një tregues mjaft i ndjeshëm ky, ka qenë në përmasat e vendeve afrikane. Dhe sot është larg atyre përqindjeve që ka qenë vite më parë. Sot Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë. Një gjë është e sigurt, se kujdesi për gratë shtatzëna ka njohur një progres real dhe të qenësishëm”, tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE