Vlorë, 8 prill 2011, NOA- Kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm pasditen e sotme në çeljen e fushatës për zgjedhjet vendore në qytetin e Vlorës.
Nga ky qytet ai ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për kryetar bashkie të Vlorës, Ardian Kollozi.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha vlerësoi kandidaturën e mazhorancës duke theksuar se, Ardian Kollozi, u përket atyre bijve të qytetit të Vlorës, që 20 vjet më parë sëbashku me studentët dhe studentet e tjerë, pedagogë të Universiteteve të Tiranës themeluan Partine Demokratike, partine e parë opozitare.
Duke u ndalur tek investimet kryeministri Berisha tha se në Vlorë janë investuar rreth 400 milion euro më shumë se në çdo kohë, investime këto që kanë shkuar për rrugë, shkolla, kanalizime, ujësjellësa, vreshtari, ullishte, në energji,etj.
Kryeministri Berisha ka kërkuar votën e qytetarëve vlonjatë për kandidatin e Partisë Demokratike, duke garantuar se, qeveria do të mbështesë çdo projekt të kryetarit për të ardhmen dhe zhvillimin e qytetit.
Krahas fjalëve për kandidatin, kreu i maxhorancës ka drejtuar një sërë deklaratash ndaj kreut të opozitës Edi Rama, ku e ka cilësuar atë si një politikan të dështuar.
Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Vlorës,
Vlonjatë dhe vlonjate,
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj,
Zotërinj deputetë qeveritarë vendorë,
Zoti Ardian Kollozi, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Vlorës,
Vlorës së 100 vjetori, Vlorës së kryeqytetit të pavarësisë së shqiptarëve,
Sot, jam këtu tek ju për të paraqitur kandidatin për kryetar të bashkisë, inxhinierin, politikanin, birin tuaj të shquar Ardian Kollozi, me të cilin mua dhe ju na lidh një përpjekje e përbashkët 20 vjeçare, për liri, për dinjitet për integrim.
Ardian Kollozi, u përket atyre bijve të qytetit tuaj, që 20 vjet më parë sëbashku me studentët dhe studentet e tjerë, pedagogë të Universiteteve të Tiranës themeluan Partine Demokratike, partinë e parë opozita . Ju përket atyre djemve të Vlorës , që 20 vjet më parë u përballën në sheshet dhe rrugët e Tiranës, Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, për të përmbysur diktaturën më të egër, që shqiptarët kanë njohur.
Drejtues i sprovuar, i talentuar, i degës së Partisë Demokratike, Ardian Kollozi , me një thirrje të brendshme shpirtëro për Vlorën, për ju, vendosi të japë dorëheqjen nga parlamenti dhe të vijë këtu tek ju, të punojë së bashku me ju . Ky vendim i tij, ishte vendimi i qytetarit të Vlorës, për të cilin ju dhe çdo vlonjat e vlonjate jeni dhe do të mbeteni të partë, për të cilin
Vlora është e para.
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj,
Ne vijmë sot këtu tek ju, pasi Vlorën e Ismail Qemalit, Vlorën e flamurit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s. Ne vijmë sot këtu tek ju, pasi Vlorën e flamurit, Vlorën e Ismail Qemalit, e kemi bërë qytetin e qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Europën. Ne vijmë sot tek ju, për të paraqitur kandidatin për kryetar bashkie, birin tuaj të shquar, pasi Vlorën e bukurive mahnitëse natyror, e kemi bërë të njohur në mbarë botën, sepse ajo priti në këto katër vite, turist, më shumë se të gjitha kohërat të marra së bashku.
Ne paraqesim sot Ardian Kollozin para jush, pasi keni investuar vetëm në rrethin tuaj, në rrugë, në shkolla, në kanalizime, ujësjellësa, në vreshtari, ullishte, në energji, rreth 400 milion euro më shumë se në çdo kohë.
Ne vijmë sot për të paraqitur para jush Ardian Kollozin, pasi me reforma të thella me luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ia kemi dalë të dyfishojmë në 4 vjet të ardhurat, kemi bërë që ekonomia juaj, ekonomia e shqiptarëve, ekonomia shqiptare, të qëndrojë fuqishëm ndaj krizës më të madhe që Europa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit e saj. Kemi rritur rrogat dhe i kemi dyfishuar rrogat, kemi rritur pensionet dhe i kemi dyfishuar pensionet.
Ne paraqesim sot Ardian Kollozin, sepse me Ardianin, ne duam të përgatisim Vlorën e 100 vjetorit, Vlorën e flamurit, kryeqytet i shqiptarëve. Jam sot këtu, për t’ju garantuar ju, se çdo projekt tuajin, çdo projekt të kryetarit tuaj të ardhshëm, qeveria do ta mbështesë me përparësinë më të madhe.
Vëllezër dhe motra,
Kjo është alternativa jonë. Rruga jonë jeni ju, rruga jonë janë interesat tuaja, rruga jonë janë ëndrrat tuaja, rruga jonë janë projektet tuaja, rruga jonë janë hallet tuaja, rruga jonë janë fëmijët tuaj, familjet tuaja, komunitetet tuaja, Vlora dhe mbarë Shqipëria.
Përballë saj është rruga tjetër, e cila thotë se jam rruga e vetme.
Vlonjatë edhe vlonjat, qytetarë dhe qytetare të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.
Le ti themi sot ne nga Vlora e flamurit, zotit Edi Rama, se rruga e vetme e jotja, është rruga e karriges tënde, është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit. Rruga jote është rruga e konfliktit, ndërsa rruga jonë është rruga e mirëkuptimit, rruga jote është rruga e bllokimit, ndërsa rruga jonë është rruga e zhvillimit.
E ndoqa dje tek ju deklaronte qytetarëve të Tiranës, se kryetar bashkie katër vitet që shkuan, nuk ishte Edi Rama, por Sali Berisha. Më duhet ti them sot këtij zotërie, se tipar themelor dallues, midis njeriut të qytetëruat dhe tjetrit, është përgjegjësia qytetare, ndaj dhe zoti Rama, në këtë fushatë të garantoj se nuk do të merrem me ty, se nuk do të merrem me betejat politike, jo se ato nuk më vijnë për mbarë mua ndaj teje, por sepse e vërteta është, se në skenën politike të Shqipërisë je politikani i vetëm që nuk ke fituar qoftë dhe një beteje të vetme politike.
Socialisteve dhe socialistëve të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, ju shpreh nderimin tim, por ju rikujtoj se kryetari juaj, që nga mëngjesi deri në darkë bërtet për beteja politike, ai ka humbu dhe do të humbasë çdo njërën prej tyre. Në krye të Partisë Socialiste nuk erdhi vetë e solli Fatos Nano, e solli Sali Berisha.
Nisi gjatë këtyre viteve betejë pas beteje, tek të gjitha dështoi, në 2013 do të dështojë përsëri. Kurse kësaj radhe dil zoti Rama në skenat e mbarë vendit, ti me politikë, unë me qytetarin, ti për karrige, unë për interesat e qytetarëve.
Aleanca jonë, është “Aleanca për Qytetarin” , ju jeni të parë, Vlora është e para, Shqipëria është e para.
a.y/NOA