Nga Andi Bushati
Pak ditë më parë, gjatë një takimi me komunitetin rom të Korçës, e dëgjova kreun e PS-së, Edi Ramën, t’i drejtohej atyre njerëzve të varfër, por me fytyra të qeshura, me një frazë që të bënte të shtangeshe: “merrini paratë Saliut, por mua më jepni votën”. Me dëgjimin e parë, të dukej si një batutë kafenesh e atyre zyrtarëve që ndajnë paratë pasi kanë përfunduar orarin e punës. Por, mendja të shkonte se mund të ishte thjesht një batutë e dalë nga një bashkëbisedim me ata romë të këputur e të hareshëm.
Mendja mund të shkonte gjithashtu, se mund të qe një kod komunikimi me atë komunitet, që shquhet në përgjithësi për shpërfilljen ndaj parasë dhe për mënyrën e jetës shpesh moskokçarëse.
Megjithatë, ndoshta si shumë të tjerë, prita më kot reagimin e një shoqate që merr fonde kundër “diskriminimit të jevgjve”. Sepse çfarëdo që të mendonte, askush, asnjë politikan, nuk mund të kishte të drejtë t’i trajtonte ata si qenie të shitshme dhe të bleshme. Si zgjedhës, që mund të pranonin të paguheshin për votën e tyre.
Gabimisht, për disa ditë me radhë, unë ndoshta si shumë të tjerë, besova se ishte një shenjë racizmi e pandërgjegjshme, që do të denoncohej si e tillë, në mënyrë që kjo parullë, të mos përdorej më në vijim.
Por, në fakt, nuk ishte kështu. Besoj se shumëkush nuk i ka besuar veshëve, kur e pa liderin e PS-së, mbrëmë, në hapjen e fushatës, t’u drejtohej mbarë shqiptarëve me të njëjtën parrullë: “Merrini paratë Saliut dhe mua më jepni votën”.
Nuk ishte më një çështje racizmi. As një komunikim i panatyrshëm me ata romë të gjorë dhe një ironi me mënyrën hedoniste, se si ata e konceptojnë jetën.
Qe më shumë se kaq. Madje më shumë se një denoncim për një pushtet, që nuk është çudi të përdorë paratë e vjedhura këto dy vite, për të blerë votat. Jo, jo, këtu fjala është për një mënyrë të menduari.
Që është e njëjtë me atë të tenderxhiut që ja merr të gjithë garuesve paratë e ryshfetit, sepse gjithsesi do të dalë i fituar kur të hapen zarfat. Është e njëjta me atë të një gjykatësi, që i merr paratë nga të dyja palët, dhe që në fund do të jetë përfituesi i vetëm i një procesi gjyqësor. Është, në një farë mënyre, shndërrimi i kësaj ane të errët të administratës shqiptare, në një slogan për të marrë vota. Si i tillë duhet goditur dhe denoncuar me forcë.
Nga ana tjetër, na bën të ngremë një pikëpyetje të madhe edhe për marrëdhënien që lideri i PS-së mendon se ka me zgjedhësit e tij. Duke e dëgjuar të shqiptojë këtë parrullë, të duket sikur ai është i bindur se të gjithë votuesit e tij, janë qënie të shitshme dhe të bleshme. Njerëz që nuk e kanë për gjë të marrin para të paligjshme.
Duke e dëgjuar të shqiptojë të njëjtën gjë edhe me idhtarët e tij ezmerë në Korçë, edhe me ata më të shndritshëm në Tiranë, të krijohet përshtypja se Edi Rama është i gatshëm të thotë me zë të lartë atë që shumë politikanë e mërmërisin nën zë: shqiptarët nuk e gjykojnë keq të korruptuarin, se ëndërrojnë një ditë të bëhen të gjithë të tillë.
Pikërisht për këtë, ky slogan i përsëritur, është një slogan që duhet dënuar. Pasi ai tenton të nxjerrë në plan të parë një koncept që deri më tani, ka ekzistuar vetëm në basifondet e politikës. Së dyti, pasi ai është një koncept që ka zënë vend në idetë e liderit të opozitës. Jo më kot, një diplomat i lartë perëndimor, i thoshte pak ditë më parë, një grupi opinionistësh shqiptarë, se Edi Rama u ankohej personaliteteve të huaja se nuk kishte besim as te komisionerët e vet. Se ata ishin të shitshëm dhe të shantazhueshëm. Por, për sa kohë ky dyshim, ky lloj të menduari për njerëzit, është në kokën e tij, ky është problem vetëm për Ramën dhe për partinë që ai drejton. Por, kur atij tentohet t’i jepet e drejta e qytetarisë, duke i nxitur njerëzit të sillen si pazarxhinj të rëndomtë, si gjykatës të korruptuar, apo tenderxhinj të paskrupullt, duke i marrë paratë njërit e duke i dhënë votën tjetrit, ky slogan bëhet i papërballueshëm. Sepse ai i fton votuesit, të sillen sipas një modeli, që ata duhet ta kundërshtojnë me votë.
Gazeta “Mapo”