English

Mediu: Lulzim Basha është kryetari i të gjithëve

Tiranë, 8 prill 2011, NOA- Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ditën e sotme çeli fushatën për kandidatët e kësaj partie në pallatin e sportit “Aslllan Rusi”.

Gjatë fjalës së tij Mediu tha se, edhe këtë herë do të tregohet vendosmëria për të çuar përpara ëndrrën për një Shqipëri Europiane.

Më tej Mediu shtoi se, fakti që flamuri i Shqipërisë radhitet përkrah atyre të vendeve të NATO-s dhe të BE-së dëshmon për përparmin e vendit në rrugën evropiane.

“Ne jemi një komb i vuajtur ndër shekuj, por që nuk ju dorëzua kurrë fatit të hidhur.

Por ky shekull ka ofruar mundësi të jashtëzakonshme. Ky është shekulli i shqiptarëve. Në këtë shekull ne mund të rikuperojmë dekada të humbura, të izolimit dhe shkatërrimit. Këto vite ne realizuam qëllime të mëdha si anëtarësimi në NATO, liberalizimin e vizave”, deklaroi kreu i republikanëve.

Duke ju referuar kandidatit të koalicionit “Aleanca e qytetarit”, Lulzim Basha, Mediu tha se, ai është një shtetar i vërtetë i cili ka lënë gjurmën e vetë të pashlyeshme në kombin shqiptar, për punën e bërë me rrugën e kombit e kryesisht me liberalizimin e vizave.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i PR-së, shtoi se, kandidati Basha ka këmbëngulur për t’iu kthyer pronën qytetarëve, pasi tha ai qytetarët e dëshirojnë pronën e tyre dhe nuk mund të lejojnë që askënd të pronësojë dhe shpronësojë, në kurriz të pronarit të ligjshëm.

“Tirana ka nevojë për lidership, ka nevojë për qytetarin e saj, që jeton me ta, në mënyrë të vazhdueshme, kryetarin e saj të munguar. Pasi politika e vetme është politika e ndërtimit të Shqipërisë Europiane, pasi Tirana nuk është vetëm bulevardi “Dëshmorët e Kombit, por çdo shtëpi e çdo pallat i saj. Nuk është fasada e lyer e pallatit, por çdo qytetar i saj, me jetën e tij të përditshme”, u shpreh Mediu.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarët që të trokasin në çdo derë të Tiranës për të vazhduar rrugën e ndërtimit evropian.

Mediu e mbylli fjalën e tij me thirrjen, “Të kërkojmë tek çdo qytetar, demokrat, republikan, pa parti apo socialistë të votojë për Lulzim Bashën, sepse ai do të jetë kryetari i të gjithëve, që do ti jap vlerën dhe jetën Europiane Tiranës”.

a.y/NOA

KOMENTE